Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Konflikti s’është rrufe në qiell të hapur! Diplomati zbulon prapaskenat e luftës Iran-Izrael

Konflikti s’është rrufe në qiell të hapur! Diplomati

Në një intervistë ekskluzive për “Dekalog” me Roland Qafokun në DritareTV, diplomati Arben Çeku diskutoi në detaje rreth luftës së vazhdueshme mes Iranit dhe Izraelit, një konflikt që sipas tij nuk është aspak një rastësi apo një “rrufe në qiell të hapur”.

“Konflikti ka qenë gjithmonë prapa perdes, lufta për dominancë ka qenë shumë e madhe,” tha Çeku. Ai kujtoi se Irani ka udhëhequr atë që dikur quhej “aks i djallit” nga presidenti Bush, ku përfshiheshin Irani, Siria, Iraku, Rusia dhe Kina. “Irani ka udhëhequr gjithmonë në propagandë, aksione ushtarake dhe përgatitje të koalicioneve antizraelite me idenë që Izraeli duhet të zhduket nga Lindja e Mesme,” shtoi ai.


Çeku vuri në dukje sulmet e Izraelit ndaj Iranit, duke përfshirë vrasjen e gjeneralit Sulejmani nga presidenti Trump dhe aksione të tjera të Mossadit, si “pjesë e një përpjekjeje për mbijetesë të Izraelit”.

“Izraeli është në një përpjekje mbijetese,” tha ai. “Të gjitha përpjekjet kanë qenë që Izraeli të zhbëhet, por falë teknologjisë së lartë dhe mbështetjes amerikane, Izraeli ka mundur të qëndrojë.”

Në lidhje me natyrën e konfliktit, Çeku theksoi se lufta sot nuk është më frontale si dikur, por teknologjike dhe e lokalizuar: “Nuk kemi më dëmtime të mëdha fizike si në Luftën e Dytë Botërore, por konflikte me preçizion të lartë, teknologjik.”

Një tjetër temë e ndjeshme ishte vrasjet në Rripin e Gazës, ku Çeku u shpreh: “Dhuna ndaj civilëve është e dënueshme, por ajo që ndodhi në Rripin e Gazës është edhe pasojë e korrupsionit moral dhe politik të disa qeverive të Lindjes së Mesme që kanë keqpërdorur çështjen palestineze për beneficione politike.”

Në fund, Çeku bëri një apel për qëndrime më të qarta dhe më pak konformizëm në Shqipëri dhe rajon: “Politikanët duhet të marrin riskun për të thënë të vërtetën që mendojnë, jo vetëm atë që duan të dëgjojnë të tjerët. Duhet një qëndrim i qartë dhe proaktiv për sfidat e sotme globale.”/K.C/dritare.net