
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi nisjen e procesit të rinumërimit të 2,323 kutive të votimit, përfshirë edhe 85 kuti votimi nga jashtë vendit. Ky proces, i cili fillon më 17 qershor në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, është një nga proceset më të rëndësishme pas votimit dhe synon të sigurojë saktësinë dhe besueshmërinë e rezultateve zgjedhore.
Për rinumërimin janë angazhuar 24 grupe numërimi me gjithsej 63 punonjës, ku përfshihen 48 numërues dhe 15 zëvendësues. Procesi zhvillohet në 24 tavolina dhe monitorohet nga vëzhguesit e subjekteve politike kryesore, duke përfshirë Koalicionin PD-ASHM, Partinë Socialiste dhe Partinë Mundësia. Për të garantuar transparencën, çdo veprim do të transmetohet live online në rrjetet sociale të KQZ-së.
Rinumërimi mbulon kutitë e votimit në qarqet kryesore si Tirana, Fier, Durrësi dhe Elbasani, duke përfshirë:
Të gjitha kutitë në Tiranë (1,282 qendra votimi në 18 KZAZ),
Të gjitha kutitë në Fier (587 qendra votimi në 9 KZAZ),
Një pjesë të kutive në Durrës (360 kuti në total, përfshirë edhe kutitë jashtë vendit),
94 kuti në Elbasan.
Buxheti i dedikuar për këtë proces përfshin rreth 21 milionë lekë për sistemet e regjistrimit, transmetimit online, infrastrukturën logjistike dhe materialet ndihmëse./L.F-dritare.net

















