Kos: Do t’i ngjitem Korabit bashkë me Ramën! Kryeministri: Mund t’i ngjitemi Kullës Eiffel
Dritare.net

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe kryeministri Edi Rama ndanë momente batutash gjatë konferencës për shtyp pas Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE në Bruksel.
Teksa vlerësoi mbështetjen e lartë të shqiptarëve për integrimin europian, Kos u shpreh se ky sukses është i mundur falë qytetarëve shqiptarë dhe mbështetjes së tyre për procesin e zgjerimit. Ajo tha se Bashkimi Evropian mbështet objektivin e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027, ndërsa me humor shtoi se më pas do t’i ngjitet malit të Korabit së bashku me Ramën.
Nga ana tjetër, kryeministri iu përgjigj me batutë, duke thënë se do të ishte më mirë të ngjiteshin në Kullën Eiffel kur Franca t’i thotë Shqipërisë “mirë se erdhët në klub”, duke shtuar se ajo do të ishte edhe më e vështirë se Korabi.
Marta Kos: Dua të them që ky sukses është i mundur falë mbështetjes së shqiptarëve. Procesi i zgjerimit në të vërtetë, gjithçka çfarë bëjmë e bëjmë për njerëzit, kjo mbështetje kaq e lartë në vendin tuaj është udhëheqja më e mirë që mund të ketë vendi. Nëse dikush e kupton që kjo derë mundësie nuk mund të jetë e hapur gjithmonë ky është vendi juaj. Duke kuptuar këtë ju mund të jeni të suksesshëm. Kur flasim për datën ju thamë që mbështesim vizionin e Shqipërisë për të përmbushur negociatat deri në 2027, pastaj do t’i ngjitem Korabit së bashku me kryeministrin.
Rama: Mund t’i ngjitemi Kullës Eiffel kur Franca të thotë “po mirë se erdhët në klub”, do të jetë më e vështirë se Korabi./K.C/dritare.net