Kurti pas takimit me Spiropalin: Hekurudha Gjakovë-Shkodër, prioritet i këtij mandati
Dritare.net

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me me ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka thënë se prioritet i këtij mandati do të jetë hekurudha Gjakovë-Shkodër në kuadër të projektit Prishtinë-Durrës.
Sipas Kurtit, ky investim strategjik do të forcojë lidhjet ekonomike mes Kosovës e Shqipërisë.
Kryeministri Kurti po ashtu ka thënë se gjatë këtij takimi u theksua edhe rëndësia e vazhdimit të mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare gjatë këtij viti.
“Po ashtu, në takim theksuam rëndësinë e vazhdimit të mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare gjatë vitit 2026, si dhe nevojën për koordinim më të madh në politikën e jashtme dhe në forume ndërkombëtare. Bashkëpunimi i ngushtë për diasporën shqiptare, veçanërisht në promovimin e gjuhës dhe kulturës te gjeneratat e reja, mbetet prioritet i përbashkët dhe një faktor kyç për zhvillimin ekonomik, diplomatik dhe kulturor të të dy shteteve”, ka thënë Kurti përmes një postimi në faqen e tij në Facebook.
Mbledhja e fundit mes dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, është mbajtur para katër vitesh. Ajo e cila ishte planifikuar më 14 qershor 2023, ishte anuluar njëanshëm nga Qeveria e Shqipërisë.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, të mërkurën ka qëndruar në Kosovë, në vizitën e saj të parë që nga formimi i ekzekutivit të ri. Në Kosovë ajo takoi homologun e saj Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentaren Albulena Haxhiu, si dhe liderët opozitarë.
Spiropali ka bërë zotimin se Kosova është prioritet absolut i politikës së Jashtme të Shqipërisë ndërsa edhe vet ministrja ka paralajmëruar mbajtjen sivjet të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive./KohaDitore