
Kush janë tre gjyqtarët që do gjykojnë Berishën dhe dhëndrin e tij!
Dritare.net
Sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është hedhur shorti që përcaktoi trupën gjykuese për çështjen “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë.
Trupa gjykuese do të kryesohet nga gjyqtarja Elsa Ulliri, ndërsa anëtarë janë caktuar gjyqtarët Bib Ndreca dhe Rudina Palloj. Kjo treshe gjyqtarësh do të ketë detyrën të përcaktojë brenda 10 ditësh datën e seancës së parë të gjykimit në themel.
Berisha dhe Malltezi akuzohen nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, një dosje që ka shkaktuar debat të fortë politik dhe interes të gjerë publik.
Gjykimi në themel pritet të jetë një ndër proceset më të rëndësishme të drejtësisë së re shqiptare, ndërsa vëmendja ndaj vendimeve të trupës gjykuese do të jetë maksimale.
Në pritje të caktimit të datës së seancës, avokatët e të pandehurve kanë paralajmëruar kërkesa procedurale për rrëzimin e disa provave të paraqitura nga prokuroria./K.C/dritare.net

















