Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kuvendi në seancë maratonë, miratohen projektligjet për diplomatët dhe AKSHI-n

Kuvendi në seancë maratonë, miratohen projektligjet për

Në një seancë maratonë e cila u mbyll në orën 04:15 të mëngjesit të së premtes, Kuvendi miratoi dy projektligje dhe pesë projektvendime.


Mazhoranca miratoi me 75 vota pro, 15 vota kundër dhe 1 abstenim ligjin për shërbimin e jashtëm ku parashikohet testimi i diplomatëve në shërbim, 12 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit.

Gjithashtu u miratuan me 74 vota pro, 16 kundër dhe 0 abstenim ndryshimet në ligjin që prek AKSHI-n. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk do të zhvillojë më tendera. Prokurimet publike propozohet të realizohen nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Nisma ligjore lejon që AKSHI të krijojë shoqëri aksionere, ku shteti duhet të ketë gjithmonë jo më pak se 51% të aksioneve.

Parlamenti zgjiodhi mbrëmë edhe 4 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë: Selami Xhepa (74 vota pro, 16 kundër dhe 0 abstenim), Holta Zaçaj (72 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim), Ervin Mete (74 vota pro, 17 kundër dhe 0 abstenim) dhe Jonida Prifti (73 vota pro, 18 kundër dhe 0 abstenim).


Emri tjetër i propozuar nga Kuvendi, Matilda Shehu, do të votohet në një seancë tjetër plenare, sipas kërkesës së Taulant Ballës, kreut të grupit parlamentar.

Njëkohësisht, u miratua edhe projektvendimi “Për miratimin e planit vjetor 2026, “Për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022-2026”, me 74 vota pro, 15 kundër dhe 0 abstenim.

Siç pritej, gjashtë projektligjet e propozuara nga opozita, u rrëzuan. Dy prej tyre ishin të propozuara nga Ina Zhupa “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” dhe “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Dy të tjera nga Jorida Tabaku “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për statusin e minatorit”.

Nisma e tre deputetëve të Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Tedi Blushi dhe Edmond Haxhinasto, “Për tatimin e vlerës së shtuar në Republikën e Shqipërisë” dhe propozimi i Tedi Blushit ““Për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratike për ndotësit ushqimorë”.

Në tre prej projektligjeve të opozitës, deputeti i PS, Erion Braçe abstenoi.

Në fillim të seancës, pati një interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimajt dhe deputetëve Agron Shehaj e Erald Kapri, lidhur me ‘Durana Tech Park’.

'Durana Tech Park' është parku i parë teknologjik dhe shkencor në vend që synon tërheqjen e investimeve vendase e të huaja, përmes lehtësirave tatimore që ofron.

Nuk munguan as debatet për nismën e PS-së për ndryshimet ligjore në nenin 242 në Kodin e Procedurës Penale dhe Belinda Ballukun , e cila nuk ishte e pranishme në punimet e Kuvendit. Gazment Bardhi kërkoi që të futet në rend dite kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të saj, ndërsa Taulant Balla i kujtoi që Këshilli i Mandateve do të mblidhet më 23 shkurt.

Balla gjithashtu ironizoi opozitën për shmangien që David McAllister i bëri Berishës duke mos e takuar, ndërsa ditën e enjte, Rama u takua me Trump në Bordin e Paqes.