A do jetë protesta e sotme e Berishës kundër Amerikës?
Dritare.net

Protesta e sotme e Berishës sot rrezikon të përkthehet si përplasje me aleatin më të madh të shtetit shqiptar.
Protesta eshte lajmëruar se do rrëzojë kryeministrin Rama i cili ndërkaq është në SHBA.
Pra, ndërsa kryeministri i Shqipërisë ndodhet në SHBA, në forume që lidhen me arkitekturën e paqes dhe me takime që e vendosin vendin në qendër të diskutimit ndërkombëtar, në Tiranë pritet të shpërtheje një protestë me molotove.
Dhe nuk është protestë e zakonshme.
Është protestë e drejtuar nga një lider që është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky fakt ndryshon gjithçka.
Sepse jashtë Shqipërisë nuk lexohet historia e përplasjes personale mes Ramës dhe Berishës.
Lexohet simbolika:
Një ish-kryeministër i sanksionuar nga SHBA, në rrugë, me zjarr në dorë.
Një kryeministër aktual në Uashington, në borde paqeje dhe forume ndërkombëtare.
Për një agjenci të huaj lajmesh, kjo është një narrativë e gatshme:
opozita shqiptare në përplasje me kursin amerikan.
Edhe nëse kjo nuk është deklaruar hapur, perceptimi krijohet kështu. Dhe në diplomaci, perceptimi është realitet.
Berisha nuk është vetem lider opozite, sot ai është politikan me status non grata nga SHBA. Çdo aksion i tij në këtë kontekst nuk është më thjesht politik i brendshëm. Është i ngarkuar ndërkombëtarisht.
Kur ai “djeg” politikisht kryeministrin pikërisht në momentin kur ky i fundit ndodhet në SHBA, mesazhi jashtë nuk përkthehet si luftë partiake. Përkthehet si tension me vetë Amerikën.
Dhe kjo është e rrezikshme.
Sepse aleanca me SHBA-në nuk është pronë e Ramës.
Nuk është pronë e Berishës.
Është shtylla mbi të cilën Shqipëria ka ndërtuar sigurinë dhe legjitimitetin e saj që nga viti 1990.
Në një kohë kur bota është e paqëndrueshme, kur rajoni është nën tension, kur Kosova është në presion diplomatik, Shqipëria nuk mund të duket e ndarë në raport me SHBA-në.
Kjo nuk është çështje partie.
Është çështje interesi kombëtar.
Po, opozita ka të drejtë të protestojë.
Po, opozita ka të drejtë të kritikojë.
Por kur protesta e një lideri non grata bie në të njëjtën ditë me prezencën e kryeministrit në SHBA, jashtë vendit kjo lexohet si mesazh politik kundër kursit amerikan.
Dhe ky është një luks që Shqipëria nuk e përballon dot.
Në fund, pyetja nuk është nëse Rama fitoi pikë sot.
Sepse kur politika e brendshme ndizet me zjarr,
rreziku është që të digjen ura që janë ndërtuar me dekada.
Dhe Shqipëria nuk ka ura të tepërta me Amerikën./ Dritaredigjitale