Linda Rama rrëfen jetën krah kryeministrit!
Dritare.net

Në një rikthim emocionues pas gati tre dekadash në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar, Linda Rama ka ardhur ndryshe. Në një intervistë për “Aromë Gruaje”, bashkëshortja e kryeministrit Rama ndau copëza nga jeta me të, fëmijëria e saj dhe mendime për politikën, lirinë dhe integritetin.
Ajo kujtoi bisedat e shumta që zienin gjatë javës së martesës, duke e cilësuar atë periudhë si një moment ku ajo ishte një “mister” për masën. “Mua nuk më njihte publiku. Më njihnin kolegët, studentët, komunitetet lokale. Për shkak të Edit u prezantova edhe me publikun,” shprehet ajo.
Linda Rama thekson se ndiente siguri nga baza profesionale, e cila i shërbeu për të ruajtur ekuilibrin gjatë kohës që vëmendja ishte përqendruar tek ajo. “Aleati më i madh i imi në atë periudhë kanë qenë arsimimi im, kolegët, komunitetet lokale. E dija se në atë moment ata ishin me mua. Kjo lloj aleance të jep siguri,” tha ajo.
Në një analizë për median, politikën dhe filozofinë, Linda Rama zbuloi edhe një nga mësimet që ka marrë përkrah kryeministrit.
“Dinamika e politikës është tjetër nga ajo filozofike. Aq i larmishëm sa është realiteti, aq të larmishme janë edhe vendimmarrjet apo mënyrat që politika gjen. Është kollaj të kritikosh nga jashtë. Jeta pranë Edit më ka mësuar gradualisht se vërtet nuk i di të gjitha. Një njeri duhet t’i japë mundësi vetes që të mos e çojë gjykimin deri në ekstrem. Thjesht e kam mësuar: ti nuk i di të gjitha. Tani e kam bërë timen. Gjykimi i padrejtë është ngarkesë negative“, u shpreh ajo.
Për herë të parë ajo foli edhe për marrëdhënien e afërt me vjehrrën e ndjerë, Aneta Ramën. “Me mamanë e Edit gjithkush tjetër bëhej i tepërt kur ishim ne të dyja. Koha dhe momenti ishte për ne të dyja,” kujtoi ajo.
Linda Rama shtoi se largimi i saj ishte dhimbje e madhe, sidomos për të shoqin. Ajo shprehet se ia ndien mungesën çdo ditë vjehrrës së saj.
“Ishim ende në procesin e njohjes me njëra-tjetrën. Kishim një raport intensiv; një kohë e jetuar me biseda, mendime, emocione dhe kujdes. Kur isha me mamanë e Edit, ndonëse ajo i donte të gjithë, çdokush tjetër bëhej i tepërt. Ai moment dhe ajo kohë ishin vetëm për ne të dyja. Kur e humbet një njeri të tillë, dhimbja është e madhe. E them këtë për herë të parë. Ishte dhimbje e madhe largimi i një njeriu, pas të cilit do të duhej të vendosej një rutinë e re. Ishte një humbje e madhe edhe për Edin. Dhimbja fillimisht e zëvendëson mungesën, por më pas nis e ndihet mungesa. Mua më mungon mamaja e Edit në mënyrë të pazëvendësueshme, por përpiqem ta sjell në përditshmërinë time në çdo lloj forme”, tha ajo.
Më tej, foli edhe për përballjen e saj të hershme me vdekjen si pasojë e humbjes aksidentale të xhaxhait, një moment që e përshkroi sikur “bota e humbi kuptimin.”
Për konceptin e lirisë, Linda Rama u shpreh se s’mund të vijë në mënyrë të shfrenuar: “Nëse nuk merr përgjegjësi, nuk ushtron liri”, teksa shtoi: “Lirinë unë nuk e negocioj me asgjë. Nuk resht së thëni atë që mendoj. Babai më ushqeu që e vogël që liria është e panegociueshme. Ai kishte intuitë për të kuptuar vullnetin tim të fortë për të qenë një njeri i mirë dhe se unë nuk do të abuzoja me lirinë,” rrëfeu ajo duke vijuar se tashmë këtë e sheh te vajza.
“E shoh këtë te vajza ime dhe jam e lumtur,” u shpreh Linda Rama, duke nënvizuar se liria e të menduarit dhe të folurit mbetet një vlerë e shenjtë në familjen e tyre.