Lufta në Iran dhe pasojat në xhepat tanë!
Dritare.net

Rritja e kostove të transportit detar si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme do të përkthehet në çmime më të larta për konsumatorët në mbarë botën. Këtë paralajmërim e ka dhënë Vincent Clerc, drejtori ekzekutiv i gjigantit danez të transportit detar Maersk, në një intervistë për BBC.
Sipas Clerc, kompania përdor mekanizma kontraktualë që transferojnë ndryshimet në koston e karburantit drejtpërdrejt tek klientët. “Kur kostot rriten ose bien, ato kalojnë tek klientët tanë dhe në fund tek konsumatorët,” tha ai.

Maersk është një nga kompanitë më të mëdha të transportit me kontejnerë në botë dhe luan rol kyç në transportimin e mallrave të konsumit si lodra, veshje dhe pajisje elektronike.
Rrugët kryesore detare pothuajse të bllokuara
Lufta mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ka ndikuar rëndë në dy nga rrugët më të rëndësishme të tregtisë detare në botë. Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalonte rreth një e pesta e furnizimit global me naftë para konfliktit, është praktikisht e bllokuar për shkak të kërcënimeve iraniane ndaj anijeve.
Në të njëjtën kohë, shumë kompani transporti po shmangin edhe Detin e Kuq për shkak të rreziqeve të sigurisë.
Clerc theksoi se zgjidhja më e mirë do të ishte arritja e një marrëveshjeje politike.
“Në fund duhet të rikthehemi në një situatë ku liria dhe siguria e navigimit janë të garantuara,” u shpreh ai, duke bërë thirrje që SHBA, Izraeli dhe Irani të gjejnë një marrëveshje.
Kosto më të larta dhe inflacion
Shmangia e këtyre rrugëve detare po detyron anijet të bëjnë udhëtime më të gjata, përfshirë kalimin rreth Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikë. Kjo, së bashku me rritjen e çmimeve të naftës, po e bën transportin shumë më të shtrenjtë.
Sipas Clerc, kostot shtesë janë rreth 200 dollarë për një kontejner standard 20-këmbësh, që përkthehet në një rritje prej 15% deri në 20% të tarifave të transportit.
Edhe kompani të tjera të mëdha të transportit detar, si MSC dhe Hapag-Lloyd, kanë rritur tarifat për shkak të ndërprerjeve të shkaktuara nga konflikti.
Rrezik për ekuipazhet dhe zinxhirin e furnizimit
Clerc theksoi se prioriteti kryesor është siguria e ekuipazheve dhe e anijeve. Ai tha se për sa kohë ekziston rreziku i sulmeve me dronë dhe nuk ka garanci për armëpushim, kompanitë e transportit nuk mund të rrezikojnë jetën e punonjësve.
Organizata Ndërkombëtare Detare e OKB-së ka raportuar se të paktën shtatë detarë kanë humbur jetën në Ngushticën e Hormuzit që nga fillimi i konfliktit.

Ndikimi në furnizimin me ushqime
Sipas drejtuesit të Maersk, ndërprerjet kanë pasur një “ndikim të thellë” në furnizimet globale. Disa klientë nuk po marrin dërgesat në kohë, duke krijuar vështirësi logjistike, veçanërisht në rajonet që varen shumë nga importet ushqimore.
Megjithëse po përdoren alternativa si transporti tokësor me kamionë dhe korridore të reja logjistike, këto nuk mund të përballojnë të njëjtin volum mallrash si transporti detar.
Si rezultat, mallrat më pak urgjente, mund të shtyhen për një kohë, ndërsa prioriteti do t’u jepet furnizimeve thelbësore.
Zgjidhja afatgjatë
Disa qeveri, përfshirë SHBA-në dhe Francën, kanë sugjeruar që anijet të shoqërohen nga marina ushtarake për të kaluar në mënyrë të sigurt nëpër këto ujëra. Megjithatë, Clerc mendon se kjo mund të jetë vetëm një zgjidhje e përkohshme.
“Ngushtica është shumë e ngushtë dhe trafiku është shumë i madh. Zgjidhja e vetme afatgjatë është një marrëveshje që rikthen lirinë e navigimit,” përfundoi ai./L.F-dritare.net