
Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit pritet të mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Balluku është përfaqësuar nga avokati. Ajo ka të drejtë të paraqitet personalisht ose e përfaqësuar nga avokati i saj mbrojtës për të dhënë shpjegimet përkatëse.
Në relacionin e depozituar në Kuvend, SPAK rendit arsyet pse kërkon arrestimin e zëvendëskryeministres. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Balluku dyshohet për manipulimin e 12 tenderëve publikë me një vlerë totale prej 1.2 miliardë eurosh, për ushtrim presioni ndaj dëshmitarëve, si dhe për rrezik të kryerjes së veprave të tjera penale për shkak të pozitës dhe personalitetit të saj.
Në mbledhje do të marrin pjesë edhe tre prokurorë të SPAK, të cilët do të paraqesin provat dhe argumentet ligjore që mbështesin kërkesën për arrestim. Nga Prokuroria e Posaçme janë të pranishëm prokurorët Klodian Braho, Dorina Bejko dhe Dritan Prençi.
Vendimi i Këshillit të Mandateve do t’i hapë rrugë më pas votimit në seancë plenare për heqjen ose jo të imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut./L.F-dritare.net