Mbyllja e negociatave/ KE-ja pro Shqipërisë, fjalën e fundit e kanë shtetet anëtare
Dritare.net

Teksa qeveria e drejtuar nga Edi Rama synon që në vitin 2026 të avancojë me mbylljen e kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian, Komisioni Evropian ka dhënë një sinjal pozitiv për Shqipërinë përmes raportit IBAR, që vlerëson përmbushjen e piketave të ndërmjetme. Megjithatë, vendimi përfundimtar ende nuk është vulosur, pasi kërkon miratimin e të 27 vendeve anëtare të BE-së.
Sipas një zëdhënëseje të Komisionit Europian, krahas vlerësimit pozitiv është dorëzuar edhe një draft i qëndrimit të përbashkët për Grupkapitullin 1, ndërsa tashmë topi është në fushën e shteteve anëtare, të cilat duhet të bien dakord për hapat e mëtejshëm, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës.
“Komisioni Evropian ka paraqitur vlerësimin e tij pozitiv mbi përmbushjen e Raportit të Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme, si dhe një draft Qëndrim të Përbashkët të BE-së për Grup Kapitullin 1 pranë Këshillit. Tani u takon shteteve anëtare të bien dakord për një Qëndrim të Përbashkët të BE-së për Grup Kapitullin 1, i cili do të përcaktojë piketat përmbyllëse në fushën e Shtetit të së Drejtës”, tha zëdhënësja e KE-së.
Në të njëjtën kohë, në Bruksel janë zhvilluar dy takime të Grupit të Punës për Zgjerimin (COELA), më 6 dhe 13 mars, ku ambasadorët e vendeve anëtare kanë diskutuar mbi progresin e Shqipërisë. Megjithatë, Këshilli Evropian ka shmangur dhënien e detajeve apo një përfundimi zyrtar, duke theksuar natyrën e brendshme të këtyre diskutimeve.
Diskutimet pritet të vijojnë edhe në javët dhe muajt në vijim, me çështjen që do të rikthehet sërish në tryezë më 20 mars, ndërsa procesi i negociatave mbetet i hapur dhe në zhvillim./dritare.net