Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mesazh i fortë nga SHBA për Ballkanin Perëndimor: sanksione, ndalim vizash dhe bllokim pasurie

Mesazh i fortë nga SHBA për Ballkanin Perëndimor: sanksione,


Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar një regjim të ri sanksionesh që synon individë dhe subjekte të huaja të përfshira në veprime destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, si pjesë e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026 (NDAA 2026), të publikuar më 7 dhjetor 2025 nga Kongresi Amerikan.

Sipas dokumentit zyrtar, masat synojnë persona që:

-kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor;
-minojnë proceset demokratike dhe institucionet shtetërore;
-përfshihen në korrupsion serioz, përfshirë korrupsionin e zyrtarëve aktualë ose ish-zyrtarëve;
-kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut;
-pengojnë zbatimin e marrëveshjeve kyçe ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë.

Në mënyrë specifike, ligji përmend marrëveshje dhe dokumente ndërkombëtare si Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Marrëveshjen e Dejtonit, si dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Bllokim pasurie dhe ndalim vizash

Regjimi i ri parashikon bllokimin e pasurive dhe interesave financiare të personave të sanksionuar, nëse ata ndodhen në Shtetet e Bashkuara ose janë nën kontrollin e shtetasve amerikanë. Gjithashtu, parashikohet ndalimi i hyrjes në SHBA, revokimi i vizave ekzistuese dhe përjashtimi nga çdo përfitim sipas ligjit amerikan të emigracionit.

Mesazh paralajmërues për rajonin

Sipas vlerësimeve në Uashington, ky regjim sanksionesh përbën një mesazh të qartë paralajmërues për aktorët që synojnë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, duke riafirmuar angazhimin e SHBA-ve për demokracinë, sundimin e ligjit dhe paqen afatgjatë në rajon. Ligji parashikon që këto masa të jenë në fuqi për një periudhë tetëvjeçare, me mundësi rinovimi nga autoritetet amerikane./K.C/dritare.net