Ministria e Mbrojtjes: Rritet interesi i të rinjve për shërbimin në Forcat e Armatosura
Dritare.net

Ministria e Mbrojtjes thotë se ka një rritje të qëndrueshme të interesit dhe besimit të të rinjve ndaj uniformës dhe shërbimit ndaj Atdheut. Sipas Ministrisë kjo reflektohet qartë në të dhënat më të fundit të rekrutimeve në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
"Politikat e ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes, përfshirë rritjen e pagave, konsolidimin e shërbimit ushtarak si një karrierë e denjë dhe afatgjatë, si dhe rikthimin e dinjitetit të uniformës, kanë ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e motivimit të të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura.
Këto masa konkrete kanë prodhuar rezultate të matshme. Vetëm gjatë Fazës I të vitit 2026 janë regjistruar 343 aplikime, duke dëshmuar vijimësinë e trendit pozitiv të vitit 2025 dhe një interes gjithnjë në rritje për shërbimin aktiv ushtarak.
Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin për rritjen jo vetëm në aspektin sasior, por edhe cilësor të komponentit aktiv, përmes investimeve në përgatitjen profesionale, mirëqenien dhe perspektivën afatgjatë të personelit. Ky zhvillim përbën një tregues të rëndësishëm të ringjalljes së marrëdhënies mes të rinjve dhe institucionit të mbrojtjes, si dhe të forcimit të rolit të Forcave të Armatosura në garantimin e sigurisë kombëtare.
Ministria e Mbrojtjes mbetet e angazhuar në krijimin e kushteve dinjitoze dhe motivuese për të rinjtë që zgjedhin t’i shërbejnë vendit përmes Forcave të Armatosura", thuhet në njoftimin e Ministrisë./L.F-dritare.net