
Ministrja Kumbaro: Vendet e kujtesës tani, destinacione turistike dhe ekonomike
Dritare.net
Gjatë hapjes së konkursit ndërkombëtar për rijetëzimin e rezidencave qeveritare në Vlorë dhe Velipojë, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj. Mirela Kumbaro, theksoi rëndësinë e transformimit të vendeve historike të trashëgimisë së periudhës së diktaturës në qendra mikpritjeje, turizmi dhe edukimi.
“Nuk kemi luksin t’i mbajmë të mbyllura apo të papërdorura këto objekte. Duhet t’i përballim dhe t’i kthejmë në vlerë si pjesë e kujtesës kolektive dhe zhvillimit të qëndrueshëm,” deklaroi ministrja.
Ajo solli si shembuj projekte të suksesshme si Bunk’Art, Shtëpia me Gjethe, Vila 31 dhe Vila 30, të cilat tashmë janë shndërruar në destinacione të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.
“Këto vende flasin më shumë se dëshmitë personale dhe kanë fuqinë të komunikojnë me brezin e ri në gjuhën e tyre,” shtoi Kumbaro.
Ministrja nënvizoi rolin e turizmit si një ndër industritë më dinamike të zhvillimit ekonomik në Shqipëri, duke përmendur rritjen e vazhdueshme të numrit të vizitorëve, me një shtesë prej 7% gjatë katër muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në përfundim, znj. Kumbaro përgëzoi Korporatën Shqiptare të Investimeve, Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit për organizimin e konkurseve arkitekturore që gjenerojnë ide, projektim dhe vizion të ri për menaxhimin e aseteve publike me funksione bashkëkohore./L.F-dritare.net

















