Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Veronesi para operacionit më përkëdheli lehtë. I kërkova të më hiqte gjoksin, dhe ai më tha: E di që sot nuk bëhet më

Veronesi para operacionit më përkëdheli lehtë. I

Aktorja e njohur italiane Monica Guerritore ka rrëfyer një prej momenteve më të ndjeshme të jetës së saj, lidhur me përballjen me kancerin e gjirit dhe marrëdhënien e veçantë me profesorin Umberto Veronesi, një nga figurat më të mëdha të onkologjisë botërore.

Guerritore kujton se ishte vetë Veronesi ai që i zbuloi se në gjoksin e saj po formohej një karcinomë. Kur ajo, e frikësuar, i propozoi t’i hiqte të gjithë gjoksin, ai iu përgjigj me qetësi: “E di që sot kjo nuk bëhet më?”, duke i shpjeguar mundësinë e një ndërhyrjeje më konservative, një teknikë inovative e zhvilluar prej tij.

“Pak para operacionit, ai mu afrua dhe më përkëdheli faqen,” rrëfen aktorja. “Ai të qetësonte, por asnjëherë nuk të gënjente. Kjo ishte madhështia e tij.”

Historia mes aktores dhe mjekut kishte nisur shumë vite më parë. Ajo e kishte njohur që në adoleshencë, përmes familjes së saj, dhe më pas ishte ndjekur prej tij me kontrolle të rregullta, për shkak të strukturës së dendur të indit të gjirit – diçka që në vitin 2006 i mundësoi zbulimin e hershëm të sëmundjes.

Operacioni u krye në Institutin Europian të Onkologjisë në Milano, themeluar nga vetë Veronesi. Analizat pas operacionit treguan se tumori nuk ishte agresiv dhe nuk kërkonte kimioterapi, por vetëm monitorim periodik, të cilin Guerritore e vijon ende sot.

Një nga momentet më të forta që ajo ndan është vendimi për të mos fshehur shenjën e operacionit. Gjatë shfaqjes së saj në teatër, kolegët i sugjeruan ta mbulonte cikatricen, por ajo refuzoi:
“E mbajta të dukshme. Ishte një mesazh për të gjithë ata që po kalonin të njëjtën vuajtje.”

Aktorja u angazhua më pas si imazh i Fondacionit Veronesi, duke marrë pjesë në një fushatë sensibilizuese ku u fotografua për të mbështetur kërkimin shkencor kundër kancerit.

Një histori force, dinjiteti dhe shprese, që vërteton se diagnostikimi i hershëm dhe mjekësia humane shpëtojnë jetë./L.F-dritare.net