
Ndalimi i monopatinave: Pse i bllokoi policia çfarë pritet të ndodhë!
Dritare.net
Një vendim i papritur i Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme për ndalimin e qarkullimit të monopatinave elektrike ka ndezur një debat të gjerë publik. Shkaku kryesor i këtij vendimi drastik janë shifrat alarmante të aksidenteve. Sipas shefit të sektorit për sigurinë rrugore, Ledian Kerka, i icili foli në emisionin Dekalog nga Rolnd Qafoku në Dritare TV, vetëm gjatë vitit 2024 u regjistruan 991 incidente me përdorues monopatinash, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të 2025-ës, shifra arriti në 561 raste, përfshirë edhe fatalitete.
Bumi i përdorimit të këtyre mjeteve, sipas zotit Kerka, erdhi për shkak të shpejtësisë, komoditetit dhe kostos pothuajse zero. Megjithatë, kjo popullaritet nuk u shoqërua me përgjegjshmëri. Shumica e monopatinave nuk plotësojnë kushtet bazë të sigurisë për të qarkulluar në rrugë. Problemi më i madh, gjithsesi, mbetet te përdoruesit, veçanërisht adoleshentët, të cilët shpesh nuk njohin rregullat bazë të qarkullimit dhe nuk kanë kulturën e duhur rrugore, duke u kthyer në një rrezik për veten dhe për të tjerët.
Vendimi aktual është një bllokim i përkohshëm, në pritje të hartimit të një kuadri të ri ligjor. Policia po punon për propozime konkrete që do të rregullojnë kushtet teknike të monopatinave dhe mënyrën e përdorimit të tyre, me qëllim që rikthimi i tyre në rrugë të bëhet në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar./L.F-dritare.net

















