Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndryshime në Kodin Penal. Kush parkon dysh, shkon në burg!

Ndryshime në Kodin Penal. Kush parkon dysh, shkon në burg!

Ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal janë miratuar në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, i cili u mblodh pa praninë e deputetëve të opozitës, të angazhuar në terren për përgatitjet e protestës së paralajmëruar për të shtunën. Vendimi më i debatueshëm lidhet me parkimin në rresht të dytë, i cili nga një shkelje administrative e ndëshkuar me gjobë, tashmë konsiderohet vepër penale e dënueshme me burg.

Sipas ndryshimeve të miratuara, parkimi dysh shihet si rrezik serioz për sigurinë rrugore, pasi pengon qarkullimin e mjeteve emergjente, bllokon rrugët dhe krijon vështirësi për këmbësorët. Relatori i projektligjit, deputeti socialist Ervin Hoxha, argumentoi se ashpërsimi i masave penale synon rritjen e efektit parandalues të ligjit dhe garantimin e një qarkullimi më të sigurt për qytetarët, si dhe krijimin e një kuadri më të qartë ligjor për ndërhyrje të shpejta nga organet e rendit në situata emergjente.

Përveç kësaj, ndryshimet në Kodin Penal përfshijnë edhe dekriminalizimin e shpifjes, si dhe forcimin e mbrojtjes ligjore për gazetarët gjatë ushtrimit të detyrës. Sulmet, kërcënimet apo format e intimidimit ndaj gazetarëve do të trajtohen njësoj si ato ndaj punonjësve të shtetit, duke rritur ndjeshëm nivelin e sigurisë për median. Hoxha theksoi se dhuna ndaj gazetarëve do të dënohet me 1 deri në 5 vite burg.

Në të njëjtën mbledhje u miratuan edhe ndryshime në ligjin për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se këto ndryshime synojnë vendosjen e një sistemi të ri elektronik për kontrollin dhe parandalimin e trafikut të paligjshëm të armëve./K.C/dritare.net