Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Në moshën 16-vjeçare, Dardani fitoi Europën, por ajo që e dallon nuk është medalja!

Në moshën 16-vjeçare, Dardani fitoi Europën, por ajo

Dardan Spahia është kampioni i ri europian i Brazilian Jiu-Jitsu.

Vetëm 16 vjeç, ai u shpall fitues i medaljes së artë në IBJJF European Championship në Lisbonë, duke dominuar kategorinë e tij përballë sportistëve më të mirë të Europës.

Pas suksesit në Portugali, Dardani u rikthye në palestrën e tij në Shqipëri, aty ku nisi gjithçka jo për të festuar, por për të vazhduar stërvitjen. Një zgjedhje që tregon qartë se kjo fitore nuk ishte rastësi, por rezultat i një rrugëtimi të gjatë, që nisi që në moshën gjashtëvjeçare, fillimisht si vetëmbrojtje dhe më pas si pasion konkurrues.

"Në momentin që hyn në tapet, ekziston vetëm vetja jote, kundërshtari dhe profesori," shprehet Dardani, duke përshkruar fokusin absolut që kërkon ky sport.

Pavarësisht emocioneve dhe frikës fillestare një ndjesi që ai e pranon hapur se e shoqëron para çdo gare performanca e tij ishte dominuese. Të treja ndeshjet u fituan. Një dëshmi e qartë e epërsisë teknike ndaj kundërshtarëve ndërkombëtarë. Megjithatë, ajo që e dallon Dardanin nga bashkëmoshatarët e tij nuk është vetëm medalja në qafë, por filozofia e tij prej një stoiku modern. Ai flet me një pjekuri të rrallë për menaxhimin e egos, një leksion që Jiu-Jitsu ta mëson në mënyrën më të ashpër.

"Gjëja e parë që duhet të mësosh është si të dorëzohesh," shpjegon ai, duke theksuar se kokëfortësia në këtë sport çon vetëm në dëmtime, ndërsa pranimi i humbjes momentale është hapi i parë drejt përmirësimit afatgjatë.

Kjo qasje reflektohet edhe në jetën e tij jashtë tapetit. Një nxënës i shkëlqyer i apasionuar pas matematikës dhe fizikës Dardani nuk kërkon trajtim preferencial në shkollë për shkak të arritjeve sportive. Përkundrazi, ai e sheh disiplinën akademike dhe atë sportive si dy anë të së njëjtës medalje. "Mënyra sesi stërvitesh është kryesorja... dhe në shkollë është e njëjta gjë," thotë ai, duke rrëzuar mitin se sporti dhe shkolla nuk mund të ecin paralelisht.

Ndërsa synon të ndjekë studimet universitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku studiojnë edhe motra e vëllai i tij, vizioni i tij përfundimtar është rikthimi në atdhe.

"Të kthehem në Shqipëri, të furnizoj ekonominë e vendit tim," shprehet 16-vjeçari, duke treguar një lidhje të fortë me rrënjët e tij, pavarësisht mundësive që i ofrohen.

Për Dardanin, Shqipëria nuk është thjesht vendi ku jeton, por vendi ku ai ndihet "rehat" dhe ku dëshiron të ndërtojë të ardhmen pas diplomimit. Trajneri dhe familjarët e tij e përshkruajnë atë si një kombinim të talentit të lindur dhe punës së palodhur, megjithëse me humor përmendin se "vonohet gjithmonë". Por kur vjen puna te rezultatet, Dardani është gjithmonë në kohë.