DJ Gimbo flet për raportin e ngushtë me Gjestin: E kam si familje të dytë
Dritare.net

DJ Gimbo ka rrëfyer hapur për raportin e veçantë që e lidh me Gjestin, një marrëdhënie që, sipas tij, ka tejkaluar prej kohësh kufijtë e bashkëpunimit profesional dhe është shndërruar në një lidhje të vërtetë familjare.
Në një deklaratë të fundit, ai ka ndarë momente të bukura nga miqësia e tyre shumëvjeçare, si edhe nga periudha e vështirë që familja e artistit ka kaluar pas humbjes tragjike të të vëllait. Gimbo thekson se prej tetë vitesh punon pa ndërprerje me Gjestin dhe se gjatë gjithë kësaj kohe lidhja mes tyre është forcuar vazhdimisht.
“Që tetë vite punojmë së bashku dhe nuk jemi ndarë asnjëherë. Babai i tij është babai im, motra e tij është motra ime”, është shprehur ai, duke nënvizuar se raporti i tyre bazohet në sinqeritet dhe respekt të ndërsjellë.
DJ Gimbo ka shtuar se pas tragjedisë që goditi familjen e Gjestit, ai ka qenë pranë tyre jo vetëm si mik, por si pjesë e pandarë e familjes. Ai rrëfeu se për rreth dy muaj ka qëndruar në shtëpinë e artistit, duke përjetuar nga afër dhimbjen dhe pikëllimin e kësaj humbjeje të rëndë. “E kam si familje të dytë. Edhe sot nuk jam plotësisht i kthjellët, ende e shoh në ëndërr”, tha ai./K.C/dritare.net