Nesër mblidhet Grupi Parlamentar i PS-së për Ballukun, zbulohet agjenda
Dritare.net

Kryesocialisti Edi Rama do të drejtojë ditën e nesërme mbledhjen e Grupit Parlamentar nga ku pritet të vendoset qëndrimi përfundimtar i mazhorancës për kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për marrje autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka zbuluar edhe agjendën e mbledhjes që do të mbahet, ku fillimisht fjalën do ta ketë Rama, e më pas ministrat e kabinetit socialist.Mbledhja do të nisë në orën 11:00 dhe do të mbahet në Pallatin e Brigadave.
11:00-Hapja e Mbledhjes
-Fjala e Kryeministrit, Kryetarit të PSSH Edi Rama
-Raportimi i Ministrave
Raporti i Ministrit të Financave Petrit Malaj
Raporti i Ministres së Shtetit dhe Kryenegociatores Majlinda Dhuka
Raporti i Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj
Raporti i Ministres së Shtetit për Administratën Publike Adea Pirdeni
dhe Antikorrupsionin
Raporti i Ministres së Punëve të Brendshme Albana Koçiu
Raporti i Ministrit të Mbrojtjes Piro Vengu
Raporti i Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala
Raporti i Ministres së Arsimit Mirela Kumbaro
Raporti i Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo
Raporti i Ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari
Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH Taulant Balla.
Pas mbledhjes të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit Taulant Balla paralajmëroi se do të jetë mbledhja më e parë e grupit që do të vendosë për kolegen e tyre Belinda Balluku.
Vetë Rama dhe deputetët e tij do të dëgjojnë relatimin e Ulsi Manjës, bazuar në atë çfarë u parashtrua prej prokurorëve të SPAK në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Për momentin trendi i qëndrimit të socialistëve anon nga mos dhënia e dritës jeshile kërkesës së SPAK për marrjen nga Parlamenti i autorizimit për arrestimin e zonjës Balluku.
Nëse kjo do të jetë ajo çfarë do të vendos shumica socialiste, atëherë do të jemi përballë rastit të dytë kur Partia Socialiste e Edi Rama nuk lejon arrestimin e një ministri të tyre.
Në vitin 2017 socialistët për kërkesë e ish Prokurorisë të Krimeve të Rënda, votuan vetëm për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të punëve brendshme Saimir Tahiri dhe vijimin e hetimeve por jo për arrestimin e tij./TCH