Nga Charles Dickens te babagjyshi modern. Mesazhi i vërtetë i Krishtlindjes
Dritare.net

Në fëmijëri, shumë prej nesh ndonjëherë kanë ndjerë frikë nga detyra e “temës së lirë” në shkollë. Pyetja “Çfarë mund të shkruaj për Krishtlindjen?” ka shqetësuar çdo nxënës. Por, pas një reflektimi të thellë, kuptohet se Krishtlindja nuk është thjesht një temë shkollore, një tavolinë e mbushur me ushqim apo dhurata për familjen. Krishtlindja është një fenomen që lidhet me histori, tradita, moral dhe shpresë.
Origjina e festës na kthen shumë larg, te njerëzit e lashtë që vëzhguan ndryshimin e ditëve dhe lindjen e diellit, duke krijuar Festën e Diellit për të festuar rikthimin e dritës pas ditëve të shkurtra. Kur krishterimi u përhap, dita e lindjes së Jezusit u vendos në këtë kohë, duke i dhënë festës një kuptim simbolik të ringjalljes dhe shpresës. Në fillim, Krishtlindja ishte një kohë shpirtërore; më shumë për lutje dhe reflektim sesa për dhurata dhe familje.
Transformimi modern i Krishtlindjes, që e njohim sot, filloi me Charles Dickens në 1843, me publikimin e novellës së tij “Canto di Natale”. Londra e asaj kohe ishte e ndarë në mënyrë ekstreme: një pakicë e pasur bëhej gjithnjë e më e pasur, ndërsa shumica jetonte në varfëri. Një mjedis ku bamirësia nuk ishte detyrim, por një çështje ndërgjegjeje personale. Dickens, duke parë vuajtjet e fëmijëve dhe të rinjve të margjinalizuar, shkroi për Ebenezer Scrooge, bankierin e ftohtë dhe egoist, i cili mësoi vlerën e bujarisë dhe kujdesit për të tjerët. Nëpërmjet kombinimit të humorit dhe satirës sociale, Dickens transformoi Krishtlindjen në një portë shpirtërore, ku shpirti hapet, zemra zgjeron ndjeshmërinë dhe njeriu mëson të lidhë fatin e tij me atë të të tjerëve.
Ky vizion i Krishtlindjes si kohë reflektimi dhe solidariteti nuk ka humbur, madje shfaqet edhe sot përmes veprimeve të njerëzve të zakonshëm. Një shembull modern është historia e një milioneri në Nju Jork, menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit. Ai u vesh si Babagjysh dhe shpërndau para tek të pastrehët. Një prej tyre, Renee Lyons, një grua 40-vjeçare me katër fëmijë në kujdestari, që përfitoi mbeti e mahnitur: “Po ekziston?” – pyeti ajo, duke kuptuar se bujaria mund të ndryshojë jetën e dikujt në mënyra të vogla, por thelbësore. Babagjyshi i modernizuar i tregoi se në të kaluarën edhe ai vetë kishte qenë një i pastrehë, i humbur dhe i pakënaqur me njerëzimin, por një akt i thjeshtë mirësie i ndryshoi jetën.
Kështu, Krishtlindja nuk është thjesht festa e dhuratave, e tavolinave të mbushura me ushqim apo e argëtimit familjar. Është një kohë reflektimi, për të kujtuar vlerat njerëzore, për të treguar dhe përjetuar solidaritet dhe shpresë, për të hapur zemrën dhe për të krijuar lidhje me të tjerët. Nga lashtësia te Dickens dhe deri tek gjestet moderne të bamirësisë, mesazhi mbetet i njëjtë: asnjë akt bujarie nuk është i vogël, dhe çdo veprim i mirë mund të sjellë dritë dhe shpresë në jetën e dikujt tjetër.
Në këtë Krishtlindje, mes dhuratave dhe festimeve, të mos harrojmë asnjëherë thelbin e saj shpirtëror: mirësi, solidaritet, shpresë dhe reflektim.
Gëzuar Krishtlindjet!/L.F-dritare.net