Një hartë e vitit 1455 me emrin e Skënderbeut ekspozohet në Muzeun e Krujës
Dritare.net

Në kuadër të përkujtimit të 558-vjetorit të amëshimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka bërë të ditur se publiku do të ketë mundësinë të njihet me një dëshmi të rrallë të historisë evropiane dhe shqiptare. Bëhet fjalë për një hartë portulane të vitit 1455, e realizuar nga kartografi i njohur Bartolomeo Pareto, ku emri i Skënderbeut shfaqet si referencë gjeografike në Ballkanin e shekullit XV. Dokumenti i çmuar, i dhuruar nga Biblioteca Nazionale Centrale di Roma, do të ekspozohet në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, duke pasuruar më tej trashëgiminë historike dhe kulturore të vendit.
Mesazhi i ministrit Gonxhja
"Në kuadër të 558-vjetorit të amëshimit të Gjergj Kastriotit, heroi ynë kombëtar, sjellim pranë publikut, në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, një dëshmi unike të historisë europiane dhe shqiptare: harten portulane te vitit 1455, te Bartolomeo Paretos, hartograf zyrtar i Papa Nikolles V.
Në këtë dokument të rrallë hartografik, me impakt në gjithë oborret e Europës dhe Azisë, emri “Scandre Beco” – Skanderbeg, shfaqet si referencë gjeografike në zemër të një Ballkani të trazuar nga trysnia osmane në rritje; një rast i jashtëzakonshëm ky që dëshmon jehonën e figurës së Skënderbeut për së gjalli dhe rolin e tij vendimtar si mburojë e qytetërimit Europian në shek. XV. Një burim i pazëvendësueshëm për albanologjinë dhe historinë e kontinentit në kapërcyell të Mesjetës me Kohën e Re.Ekzemplari i certifikuar dhe i dhuruar nga Biblioteca Nazionale Centrale di Roma do të jetë nga sot pjesë e pandarë e eksperiencës së vizitorëve të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti”, në Krujë.", thuhet në postimin e ministrit/ K.C/dritare.net