
Nouvelle Vague renditet në vendin 28 në botë në listën prestigjioze “The World’s 50 Best Bars”
Dritare.net
Në zemër të ish-Bllokut, mes dritave dhe atmosferës urbane të Tiranës, qëndron një bar i vogël me pamje minimaliste që nuk kërkon të tërheqë vëmendjen, por e fiton vetë atë – Nouvelle Vague. Këtë vit, ai është renditur në vendin #28 në botë në listën më prestigjioze të bareve, “The World’s 50 Best Bars” të përgatitur nga San Pellegrino.
Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe për krijuesin e tij, Sofokli Cali, i cili ka ëndërruar për këtë bar që prej moshës 16-vjeçare.
Nga ëndrra e një adoleshenti në Athinë, tek krijimi i një ikone në Tiranë
Sofokliu emigroi me familjen në Athinë në moshë të re, ku mori frymëzimin e parë nga baret e qytetit. Më vonë u kthye në Tiranë për të studiuar për inxhinieri të përpunimit të drurit, por pasioni i tij për botën e mikpritjes nuk u zbeh kurrë.
Gjatë viteve të studimeve, punoi në çdo vend që mundi – si kamarier, banakier dhe në restorante – duke mësuar çdo detaj të zanatit. Në vitin 2009, në moshën 25-vjeçare, i bindi prindërit ta ndihmonin të hapte barin e tij të parë, “Bossa Nova”, në jug të vendit, në zonën nga ku kishte origjinën.
Pas suksesit të sezonit të parë, ai vendosi ta sillte frymën e barit në Tiranë. Kështu lindi Nouvelle Vague, versioni urban i “Bossa Nova”-s, i cili hapi dyert më 22 dhjetor 2012 dhe shërbeu koktejin e parë.
Kokteje me raki dhe çaj mali – një identitet shqiptar në gotë
Sot, më shumë se një dekadë më vonë, Nouvelle Vague është bërë simbol i kreativitetit dhe autenticitetit shqiptar. Bashkë me menynë bashkëkohore, Sofokliu krijon receta origjinale që shkojnë përtej standardeve ndërkombëtare të miksologjisë.
Në menunë e tij “Original”, ai eksperimenton me rakinë shqiptare dhe përbërës vendas si çaji i malit, duke i kthyer në baza për kokteje unike.
“Përpiqem gjithnjë të jem sa më egoist që mundem në këtë punë dhe të zhvilloj vetëm gjërat që më bëjnë të lumtur,” – thotë ai.
Rezultati? Një eksperiencë që të huajt dhe vendasit e kërkojnë çdo fundjavë, në një bar ku çdo detaj është menduar me dashuri për mjeshtërinë.
Një revolucion i vogël me shpirt shqiptar
Sipas Sofokli Calit, përdorimi i rakisë në kokteje ishte sfidues, jo vetëm për shkak të kombinimeve, por edhe për ta bërë publikun e ri të besonte në këtë shije tradicionale.
“Përdorimi i rakisë në kokteje ishte sfidues, jo vetëm për kombinimin e recetave, por edhe për t’i bindur të rinjtë ta provojnë,” – tregon ai.
Sot, të rinj nga e gjithë bota që vizitojnë Tiranën nuk kanë asnjë mëdyshje për të provuar koktejet me raki apo ato me çaj mali që janë pjesë e menysë së re.
Nouvelle Vague, me frymë moderne, autenticitet lokal dhe pasion të sinqertë, ka treguar se kur ndjek mendimet e lumtura, mund t’ia dalësh. Nga një ëndërr adoleshenti në Athinë, në një emër të njohur globalisht, ky bar ka vërtetuar se edhe Tirana mund të ketë vendin e saj në hartën botërore të miksologjisë./dritare.net

















