Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Përplasen Noka–Spiropali: Selfie, ture dhe akuzat për bllokim Kuvendi

Përplasen Noka–Spiropali: Selfie, ture dhe akuzat për bllokim

Përplasjet mes opozitës dhe Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali kanë vijuar edhe në seancën e sotme plenare, ku deputeti demokrat Flamur Noka e akuzoi atë se po bllokon axhendën parlamentare për shkak të “tureve turistike”, duke iu referuar pjesëmarrjes së Spiropalit në një samit në Ukrainë.

Noka e konsideroi të papranueshme mungesën e kryetares në seanca dhe tha se Kuvendi nuk është një dyqan privat që hapet e mbyllet sipas dëshirës.

“Turet tuaja turistike për të bërë selfie nuk mund të bllokojnë axhendën e Kuvendit. Është turp që u thoni deputetëve ‘ma kini për nder që po e bëj seancat’. Nuk është dyqani juaj Kuvendi! Ju e keni kthyer atë në noter të çdo akti që vjen nga sulltani”, – tha Noka.

Ai shtoi se qysh prej 11 majit Kuvendi ka pasur probleme serioze në funksionim dhe e paralajmëroi Spiropalin që të respektojë institucionin që drejton.

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nuk vonoi me përgjigjen e saj, duke ironizuar Nokën dhe opozitën me mungesën e pranisë ndërkombëtare të liderit të tyre.

“E kuptoj që u mungojnë fotografitë dhe selfiet në Europë e përtej oqeanit, por nuk shkojmë për foto, shkojmë për të përfaqësuar Shqipërinë. Ju përpiqeni ta nxini imazhin e vendit kudo ku mundeni, në ato pak hapësira që ju kanë mbetur”, – deklaroi Spiropali.

Përplasja me tone të forta vjen ndërkohë që tensionet politike në Kuvend mbeten të larta, ndërsa axhenda legjislative vijon të jetë e bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit dhe përfaqësimit të pjesshëm në seanca./L.F-dritare.net