Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Profesori i njohur: Si mundet një lokal në mes të Tiranës të mos ketë një birrë shqiptare?

Profesori i njohur: Si mundet një lokal në mes të Tiranës

Agim Vinca poet dhe studiues i gjuhës shqipe mendon se shqiptarët nga një popull ksenofob, që e cilësonte diçka të jashtme rrezik për vendin, tashmë është kthyer në një vend ksenomaniak, që e do të huajën më shumë se të vetën.

Zoti Vinca e sheh me shqetësim të madh përdorimin e gjuhës së huaj në Shqipëri, duke e cilësuar si një rrezik të madh për gjuhën shqipe. Nga emrat e fëmijëve, te emrat e lokaleve, bareve apo edhe në menytë e restoranteve shqiptare, zoti Vinca thotë se po e harrojmë shqipen, dhe nuk po e trashëgojmë atë!

“Emrat e emisioneve, bareve e restoranteve në gjuhë të huaj, për mendimin tim janë të panevojshme. Ne e kemi problem gjuhën shqipe. Është bërë modë e dukuri, përdorimi i gjuhës së huaj dhe nënçmimi i shqipes. Dukuri të tilla e zbehin imazhin dhe identitetin e shqiptarëve, si komb. Isha në një hotel në Tiranë, dhe nuk pashë asgjë shqip. As një gërmë, askund. As në meny, as në ashensor. I pyeta pse nuk ka asgjë shqip, më thanë se është hotel për të huajt. Por edhe të huajt kanë kuriozitet të shikojnë shqipen. Çfarë gjuhe dhe çfarë alfabeti kanë shqiptarët.

Po ju tregoj edhe një rast tjetër. Isha në një lokal shumë luksoz në stadiumin Air Albania. Kur erdhi kamerieri, numëroi 10 lloje birrash edhe japoneze madje, por kur e pyeta për birrë shqiptare rrotulloi sytë. Jo tha, asnjë birrë shqiptare nuk kemi. E vetmja birrë që njoha ishte Heineken.

Por si mundet një lokal në mes të Tiranës të mos ketë një birrë shqiptare? Kjo tregon se jo vetëm që nuk e duam prodhimin tonë, por po dëmtojmë edhe ekonominë tonë. Dëmtojmë edhe imazhin. Sepse turistët e huaj kur vijnë në Shqipëri nuk duan Heineken, sepse atë e pinë në Gjermani, por duan birrë shqiptare.

Jua përmenda këto shembuj për të provuar në një farë mënyrë tezën time, se shqiptarët nga një popull ksenofob, të mbyllur ndaj gjërave të huaja të cilat i quanin rrezik për vendin, tani, janë kthyer në një popull ksenomaniak, që e duan të huajën më shumë se të vetën”, u shpreh profesor Vinca në Dritare TV./L.F-dritare.net