Pse është mbyllur qendra shëndetësore në Njësinë nr. 5!
Dritare.net

Kjo është qendra shëndetësore në rrugën “Irfan Tomini”, e përmendur nga deputeti Erion Braçe e cila sipas deputetit prej tre muajsh është mbyllur, duke lënë pa shërbim banorët e Njësisë Administrative nr. 5 në Tiranë.
Pas denoncimit të deputetit Braçe, Dritare TV shkoi në terren në qendrën e mbyllur në rrugën “Irfan Tomini”.
Sipas njoftimit të afishuar në derën e godinës, pika shëndetësore “Irfan Tomini” është mbyllur që prej datës 22 gusht 2025 dhe shërbimi mjekësor është zhvendosur përkohësisht pranë pikës “Vasil Shanto”, në ambientet pranë ujësjellësit.

Në njoftim thuhet se mbyllja është bërë për shkak të rikonstruksionit të godinës, ndërsa qytetarët orientohen që të marrin shërbim në ambientin e ri të përcaktuar.
Por sipas deputetit Erion Braçe, në tre muaj nuk është kryer asnjë punim real në qendrën shëndetësore. Ai shprehet se e vetmja gjë që ka ndryshuar është njoftimi në derë, ndërsa rikonstruksioni i premtuar nuk ka nisur.
Ndërkohë, pamjet nga terreni konfirmojnë se qendra shëndetësore ndodhet në katin e parë të një pallati banimi, ashtu siç thekson edhe deputeti Erion Braçe në reagimin e tij.
Ai ngre shqetësimin për mbi 16 mijë banorë të zonës, mes tyre të moshuar dhe pacientë me sëmundje kronike, të cilëve u është vështirësuar ndjeshëm aksesi në kujdesin shëndetësor.