
Pushimet, të cilat priten si momenti ideal për të rifituar energjitë, shpesh nuk arrijnë të na çlodhin sa duhet. Për shumë njerëz, ditët e lira shoqërohen me stres, pakënaqësi dhe madje edhe ndjenjë faji, një fenomen i njohur nga psikologët si “stresi i pushimeve”.
Sipas ekspertëve, një nga arsyet kryesore lidhet me pritshmëritë e larta. Jo çdo kohë e lirë është domosdoshmërisht rigjeneruese. Aktivitetet pasive, si shikimi i televizorit apo përdorimi i rrjeteve sociale për orë të tëra, shpesh nuk sjellin kënaqësi reale. Studime kanë treguar se personat që kalojnë më shumë se katër orë në ditë para televizorit e përjetojnë këtë aktivitet si më pak të këndshëm krahasuar me ata që e shikojnë më pak.
Një tjetër faktor është ndjenja e fajit për pushimin, veçanërisht te personat që e lidhin fort vlerën personale me produktivitetin. Për ta, relaksi shihet si humbje kohe dhe jo si nevojë për shëndetin mendor. Po ashtu, ndryshimet në rutinë gjatë festave apo udhëtimeve mund të lodhin më shumë sesa të çlodhin.
Psikologët këshillojnë që, për pushime vërtet rigjeneruese, të shmangen ndjenjat e fajit dhe të ulen pritshmëritë. Kreativiteti dhe angazhimi aktiv janë elementë kyç: aktivitetet që kërkojnë përqendrim të plotë ndihmojnë në largimin e mendimeve negative dhe stresit.
Edhe kontakti me natyrën ka një rol të rëndësishëm. Ecja në ambiente të gjelbra ul ankthin dhe stresin, duke ndikuar pozitivisht në zonat e trurit që lidhen me mendimet e rënda. Aktiviteti fizik, leximi, lojërat në shoqëri apo hobet krijuese, si muzika apo kaligrafia, janë treguar se reduktojnë nivelin e kortizolit, hormonit të stresit.
Së fundi, ekspertët theksojnë rëndësinë e planifikimit. Pushimi i vërtetë nuk vjen thjesht duke qëndruar pasivisht. Ai kërkon pjesëmarrje dhe organizim, në mënyrë që koha e lirë të kthehet në një burim real energjie dhe mirëqenieje mendore./L.F-dritare.net