
Rama: Boll është boll! Çfarë paralajmëron!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët përmes një video-mesazhi në Facebook, ku njoftoi nisjen e një aksioni të gjerë dyjavor në disa qytete të vendit për të adresuar problematika të mbartura prej kohësh në hapësirat publike. Fokus i këtij aksioni do të jetë zaptimi abuziv i territoreve publike nga ndërtues dhe subjekte private, kryesisht në zonat urbane me densitet të lartë.
Deputetët kthehen në terren
Sipas Kryeministrit, pas takimeve të zhvilluara në Vlorë dhe Tiranë, aksioni do të shtrihet edhe në qytetet e Durrësit, Fierit, Elbasanit dhe Shkodrës. Gjatë këtyre dy javëve, deputetët socialistë, bashkë me drejtuesit lokalë dhe inspektoratet bashkiake, do të evidentojnë të gjitha rastet ku hapësirat publike janë shfrytëzuar padrejtësisht, në dëm të komuniteteve përreth.
"Hapësirat publike janë kthyer në vende abuzimi, me trarë, pengesa dhe struktura pa leje që pengojnë frymëmarrjen e komuniteteve. Kjo situatë nuk është më e durueshme,” – u shpreh Rama.
Thirrje për vetëkorrigjim: “Hiqni trarët dhe mushamatë!”
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së Ramës ishte thirrja e drejtpërdrejtë ndaj ndërtuesve dhe bizneseve, që të heqin menjëherë pengesat apo strukturat që kanë ngritur në mënyrë të paligjshme në ambientet përreth pallateve apo mes ndërtesave.
"Askush nuk ka më shumë të drejtë mbi tokën përreth pallatit sesa banorët e atij komuniteti. Ato hapësira nuk janë prona private!" – theksoi Kryeministri.
Ai paralajmëroi se në rast të moszbatimit vullnetar, strukturat shtetërore do të ndërhyjnë me forcën e ligjit, duke përfshirë:
Gjobitje për zaptuesit
Prishje të detyruar të trarëve e strukturave plastike
Ndjekje penale për krim mjedisor dhe shkatërrim të pronës publike
Paralajmërim për IMT-të dhe policinë
Kryeministri u shpreh qartësisht edhe për rolin e strukturave vendore, sidomos Inspektoriateve të Ndërtimit (IMT) dhe Policisë së Shtetit, të cilat ai i ftoi të rrisin ndjeshëm vigjilencën dhe ndërhyrjet ndaj çdo ndërtimi pa leje ose abuzimi publik.
“Nëse inspektorët vazhdojnë të mbajnë sytë mbyllur, do përballen dhe ata me pasoja ligjore. Ky nuk është më një opsion, është detyrim!”
Nga mandati te përgjegjësia
Në komunikimin e tij, Rama foli edhe për mandatin e tretë të Partisë Socialiste, duke e konsideruar atë një barrë përgjegjësie, jo privilegj për të “fjetur gjumë”.
“83 mandatet nuk janë për t’u rehatuar, por për të punuar më shumë. Kush mendon ndryshe, e ka shumë gabim. Boll është boll!” – deklaroi ai.
Rama veçoi qytete si Tirana, Vlora dhe Durrësi ku tha se ka marrë besim të madh personal nga qytetarët, dhe se ndjen detyrim të shtuar për t’i dhënë atyre zgjidhje konkrete.
Aksioni vazhdon: Pastrim veror i “shtëpisë së përbashkët”
Kryeministri e krahasoi këtë ndërhyrje me një "pastrim gjeneral të shtëpisë", duke theksuar se është koha për të rregulluar “shtëpinë tonë të përbashkët” – qytetet dhe hapësirat ku bashkëjetojnë komunitetet urbane.
“Kush ka ngritur tenda, trarë, mushama, të fillojë t’i heqë vetë. Kush ka bërë para në kurriz të komunitetit, të mbledhë plaçkat, se nuk ka më kthim pas. Boll është boll!”/L.F-dritare.net

















