Rama: Jam nisur për në Hagë, do të takoj Hashim Thaçin!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimi live me qytetarët në Facebook, tha se shpreson që gjatë vitit të ardhshëm Gjykata e Hagës të japë një vendim pafajësie për Hashim Thaçin, si dhe për tre ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Ramës, vetëm një vendim i tillë do të përbënte “shlyerjen e kësaj fatkeqësie”, duke iu referuar procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Kreu i qeverisë bëri me dije se është nisur drejt Hagës, ku do të zhvillojë një takim me Hashim Thaçin, të cilin e cilësoi si “komandantin e Ushtrisë Çlirimtare dhe presidentin e Republikës së Kosovës, i marrë nga zyra e tij dhe i mbajtur prej vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare”.
Rama kritikoi procesin gjyqësor, duke e quajtur një “farsë”, dhe akuzoi institucionin për shkelje të standardeve ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe normave të procesit të rregullt ligjor.
“Një president i zgjedhur në mënyrë demokratike, së bashku me tre bashkëluftëtarë që kanë mbajtur detyra të rëndësishme në Republikën e Kosovës, mbahen të izoluar pa u dënuar,” u shpreh Rama.
Uroj që viti i ardhshëm të jetë perdja e mbylljes së këtij tetari absurd të kësaj gjykate dhe të jepet pafajësia për Hashim Thaçin dhe bashkëluftëtarëve të tjerë. Njerëz që të vetmin faj kanë që u rebeluan ndaj regjimit dhe morën armë për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e tyre njerëzor. Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë nuk e tund dot askush, e jo më një çekiç absurd që ka lënë kokrrën e namit”, tha Rama.