Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Idajet Beqiri sherr me Zaçe Islamin! Avokati lë studion!

Idajet Beqiri sherr me Zaçe Islamin! Avokati lë studion!

Avokati Idajet Beqiri dhe Zaçe Islami janë përplasur ashpër në studion e emisionit Intervista e Ditës në DritareTV, ndërsa po flisnin për kërkesën e SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Avokati Zaçe Islami lëshoi një akuzë të rëndë, duke deklaruar se rezistenca e ekzekutivit dhe parlamentit ndaj kërkesave të drejtësisë përbën një 'grusht shteti' të mirëfilltë.

Islami tha se "Rama, duke dalë hapur në mbrojtje të vartësve të tij dhe duke sulmuar prokurorët, po bën presion të papranueshëm mbi drejtësinë." Ai e quajti Parlamentin "një zgjatim të ekzekutivit që voton verbërisht çdo urdhër të Kryeministrit, duke e zhbërë rolin e tij si mbikëqyrës dhe balancues."

Në kundërpërgjigje, avokati Idajet Beqiri e cilësoi këtë retorikë si absurde dhe politikisht të motivuar. Ai mbrojti tezën se veprimet e kryeministrit dhe Parlamentit janë në fakt mbrojtje e rendit kushtetues dhe jo grusht shteti. Beqiri shpjegoi se është detyrë e kreut të ekzekutivit të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese kur vëren se një pushtet tjetër po tejkalon kompetencat e tij dhe po ndërhyn në mënyrë disproporcionale në funksionimin e qeverisë. Për Beqirin, respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është thelbi i shtetit ligjor, dhe çdo veprim i SPAK që bie ndesh me këto vendime duhet të kontestohet institucionalisht.

Beqiri kritikoi ashpër gjuhën e përdorur nga Islami ndaj institucioneve dhe figurave publike, duke e quajtur atë të papërshtatshme për një jurist. Nga ana tjetër, Islami mbrojti stilin e tij si reagim i domosdoshëm ndaj një realiteti që sipas tij është kriminal dhe nuk meriton kortezinë diplomatike. Ndërsa debati ishte në pikën kulmore, avokati Zaçe Islami u largua nga emisioni pas përplasjes së ashpër me avokat Idajet Beqiri./K.C/dritare.net