BE miraton konkluzionet për Shqipërinë, Kos: Hapja e kapitujve, falë lidershipit të qeverisë
Dritare.net

Ministrat për çështjet evropiane kanë miratuar konkluzionet mbi procesin e zgjerimit, duke vlerësuar ecurinë e shpejtë të Shqipërisë në hapjen e të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian. Sipas dokumentit, përparimi në mbylljen e kapitujve mbetet sfidues dhe do të përcaktojë drejtimin e mëtejshëm të procesit. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ia atribuon suksesin qeverisë Rama.
“Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt dhe ky rezultat është arritur në më pak se 13 muaj. Ky sukses dëshmon lidershipin e qeverisë shqiptare, e cila po bën gjithçka për të përshpejtuar procesin e negociatave. Sigurisht, kjo është një provë se qeveria po punon në të mirë të qytetarëve të saj,” deklaroi Kos.
Bashkimi Evropian ka mirëpritur gjithashtu përparimin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht përmes reformës në drejtësi dhe punës së SPAK-ut. Autoriteteve shqiptare u bëhet thirrje të përfundojnë reformën elektorale në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Në konkluzionet që do të miratohen nga 27 liderët e BE-së këtë fundjavë, shtetet kandidate nxitën të shfrytëzojnë këtë moment për të realizuar të gjithë hapat e nevojshëm për përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit.
Po ashtu, dokumenti thekson nevojën e përgatitjes së BE-së për të pritur anëtarë të rinj dhe rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal, sidomos për vendet e Ballkanit./K.C/dritare.net