
Rama: Të pezullohet AKU-ja. Më shumë dëm se punë!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij gjatë mbylljes së ditës së parë të dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, kërkoi pezullimin urgjent të veprimtarisë së Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU), duke theksuar se ajo po shkakton më shumë dëm sesa përmirësim në sektor.
“Duhet të pezullohet veprimtaria e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU). AKU-ja duhet të ndalohet me urgjencë të vazhdojë të veprojë, sepse më shumë se sa të miratojë, ajo po shkakton dëm. Duhet të pezullohet AKU-ja dhe të ngrihet një komision i posaçëm për të analizuar të gjitha burimet njerëzore të AKU-së. Procesi i bashkimit të inspektoriateve, i parashikuar me ligj, duhet të kalojë në një proces seleksionimi të kujdesshëm. Në këtë komision duhet të jetë pjesë edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës,” tha Rama.
Në intervistën e gazetares Rudina Xhunga në emisionin Shqip në DritareTV me veterinerin 93-vjeçar Aleksandër Jorgaqi u fol për rolin e AKU-së. Ai tha: “AKU-ja nuk është për të venë gjoba, por për të zgjidhur problemin.” Jorgaqi bëri thirrje që AKU të rikthehet në funksionin e saj thelbësor: të mbrojë konsumatorin dhe të ndihmojë prodhuesin, jo të ndëshkojë e paralizojë./K.C/dritare.net

















