
Reforma e Trump godet Departamentin e Shtetit. Mbi 1,300 punonjës shkarkohen nga puna!
Dritare.net

Departamenti i Shtetit të SHBA-së ka nisur të premten një valë pushimesh masive nga puna, duke prekur më shumë se 1,300 punonjës, në kuadër të përpjekjes së administratës Trump për të reduktuar madhësinë e aparatit federal.
Sipas një zyrtari të lartë të Departamentit, ndër të pushuarit janë 1,107 nëpunës civilë dhe 246 diplomatë të shërbimit të jashtëm që kishin detyra brenda territorit amerikan. Të prekurit nisën të marrin njoftimet zyrtare që në orët e para të mëngjesit, ku thuhej se pozicioni i tyre është shfuqizuar”.
Pamje të dhimbshme u panë gjatë pasdites, kur disa nga punonjësit e larguar u panë duke dalë me lot në sy nga godina qendrore e Departamentit të Shtetit, Harry S. Truman Building, pranë Shtëpisë së Bardhë. Ata u përshëndetën nga një grup mbështetësish që i pritën me duartrokitje në dalje.- informon dritare.net

Sipas komunikatës drejtuar të pushuarve, reduktimet e stafit janë “të përqendruara në funksione jo-thelbësore ose zyre që përmbysin apo dublifikojnë njëra-tjetrën”.
Diplomatët e prekur do të vendosen fillimisht në leje administrative për një periudhë 120-ditore përpara se të largohen përfundimisht nga puna, ndërsa për nëpunësit civilë kjo periudhë është 60 ditë.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili ndodhej në Malajzi të enjten, deklaroi se shkurtimet synojnë të bëjnë departamentin “më efikas dhe më të përqendruar”.
“Nuk është një përpjekje për të larguar njerëz, por nëse mbyll një zyrë, nuk ka më nevojë për ato pozicione,” tha Rubio për gazetarët.
Pushimet masive vijnë vetëm disa ditë pasi Gjykata e Lartë rrëzoi një vendim të një gjykate më të ulët që kishte pezulluar përkohësisht planet e administratës Trump për “shkurtime të gjera të fuqisë punëtore” në disa agjenci federale.
Zëvendëssekretari për Menaxhim dhe Burime në Departamentin e Shtetit, Michael Rigas, paralajmëroi stafin të enjten për pushimet që po afroheshin, duke njoftuar në një email se “pas njoftimeve zyrtare, Departamenti do të hyjë në fazën përfundimtare të riorganizimit dhe do të përqendrohet te diplomacia e bazuar në rezultate.”

Departamenti planifikon të mbyllë rreth 300 njësi dhe zyra, përfshirë ato që merren me mbikëqyrjen e luftës në Afganistan – e përfunduar në gusht 2021 – si dhe programe për strehimin e shtetasve afganë që ndihmuan ushtrinë amerikane.
Megjithatë, organizata të diplomatëve dhe ekspertë të sigurisë kombëtare kanë kritikuar ashpër këtë riorganizim. Shoqata Amerikane e Shërbimit të Jashtëm paralajmëroi se “në më pak se gjashtë muaj, SHBA ka humbur të paktën 20% të fuqisë diplomatike përmes mbylljes së institucioneve dhe dorëheqjeve të detyruara.”
“Po humbasim ekspertizë diplomatike në një moment kyç për interesat tona kombëtare – dhe kjo është një goditje katastrofike,” thuhet në deklaratë.
Sindikata e diplomatëve kritikoi administratën Trump për shkurtimet në një periudhë “pasigurie globale”, duke theksuar se “mekanizma institucionalë të qartë” mund të kishin trajtuar çështjet e stafit të tepërt informon dritare.net
“Në vend të kësaj, këto pushime janë të shkëputura nga merita apo misioni. Ato godasin diplomatët jo për mënyrën si kanë shërbyer, por për vendin ku u kishte qëlluar të punonin. Kjo nuk është reformë,” thuhet më tej në reagim./E.P-dritare.net

















