Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rritje pagash në administratën vendore, ja kush përfiton!

Rritje pagash në administratën vendore, ja kush përfiton!


Qeveria miratoi këtë të mërkurë disa ndryshime të rëndësishme në vendimin për pagat e punonjësve të njësive të vetëqeverisjes vendore (bashkive). Vendimi i ri parashikon rritjen e kufirit minimal të pagës për administratën vendore dhe një indeksim të përgjithshëm prej 2.5% për të kompensuar efektet e inflacionit.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me përditësimin e vendimit të vitit 2023: tashmë paga bazë për punonjësit administrativë të bashkive është përcaktuar në intervalin 50.000–57.000 lekë në muaj, duke rritur pragun minimal të pagës për nivelet më të ulëta të administratës lokale.

Sipas vendimit, rritja vjen nga dy faktorë: politika e përgjithshme e rritjes së pagave dhe indeksimi vjetor. Rritja së bashku me indeksimin 2.5% përfshin klasat e pagave III-1 deri IV-4 (zakonisht specialistë dhe nivele ekzekutive të mesme ose të ulëta), si edhe punonjësit administrativë. Ndërkohë, klasat e larta drejtuese I-2 deri II-2 (drejtorë, përgjegjës sektorësh etj.) përfitojnë vetëm indeksimin prej 2.5%, njësoj si kufijtë minimalë dhe maksimalë të përgjithshëm.

Efektet financiare të këtij vendimi do të nisin nga viti 2026 dhe do të mbulohen përmes transfertës së pakushtëzuar nga qeveria qendrore (buxheti i vitit 2026), si dhe nga të ardhurat që vetë bashkitë mbledhin./K.C/dritare.net