
Në FAFA Resort, çdo turist ndjen përkushtimin dhe profesionalizmin që qëndron pas çdo detaji të shërbimit. Por sekreti i vërtetë i suksesit nuk qëndron vetëm tek infrastruktura apo aktivitetet e resortit, ai qëndron te njerëzit që e bëjnë të mundur çdo eksperiencë: punonjësit e FAFA-s.
Drejtuesi i resortit, Fatos Çerenishti, i sheh punonjësit jo thjesht si staf, por si pjesë të një familjeje të madhe:
“Ne nuk i shohim punonjësit vetëm si pjesë të stafit, por si shpirti i resortit. Kur ata ndihen të vlerësuar dhe të trajtuar me respekt, japin më shumë dhe krijojnë një shërbim të shkëlqyer për çdo turist,” – shprehet Fatos Çerenishti në Shqip nga Dritan Hila në DritareTV.
Me mbi 600 punonjës gjatë sezonit të lartë, shumica e të rinjve dhe studentëve nuk kanë përvojë paraprake në hoteleri. Trajnimi i tyre fillon nga zero, duke u mësuar standardet më të larta të shërbimit, mikpritjes dhe menaxhimit të aktiviteteve.
“Shumë prej tyre punojnë për herë të parë në këtë industri. Është detyra jonë t’i trajnojmë, t’i mbështesim dhe t’i ndihmojmë të rriten profesionalisht. Kur ata kuptojnë rëndësinë e detyrave dhe e ndiejnë veten pjesë të familjes FAFA, gjithçka funksionon më mirë,” – tregon Fatosi.
Investimi në motivimin e stafit nuk është vetëm etikë profesionale, por edhe strategji për të garantuar cilësi në shërbim:
“Minimalisht, çdo punonjës paguhet 800 euro, sepse duam që ata të jenë të motivuar, të ndihen të respektuar dhe të mund të përballojnë jetesën gjatë sezonit. Kur punonjësit ndihen mirë, turistët e vlerësojnë shërbimin,” – shton ai.
Ky përkushtim ndaj stafit ka krijuar një ekip të fuqishëm dhe të përkushtuar, i cili mbështet funksionimin e resortit gjatë gjithë vitit, duke siguruar që çdo vizitor të ketë një përvojë të paharrueshme.
FAFA Resort tregon se suksesi i një hoteli nuk matet vetëm me dhomat apo aktivitetet, por me energjinë, përkushtimin dhe profesionalizmin e punonjësve që e bëjnë të mundur çdo detaj. Për Fatosin, investimi te njerëzit është investim te vetë suksesi i resortit.
“Çdo punonjës është pjesë e historisë sonë të suksesit. Kur ata janë të motivuar dhe të përkushtuar, çdo turist largohet i kënaqur dhe kjo është fitorja jonë më e madhe,” – përfundon Fatosi./K.C/dritare.net

















