
Seanca vendimtare për fatin e Veliajt në Gjykatën e Lartë. Sot shqyrtohet kërkesa për lirimin nga qelia
Dritare.net
Ditën e sotme, në orën 12:00, në Gjykatën e Lartë do të mbahet një seancë vendimtare për fatin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe zyrtarit tjetër, Elman Abule. Në këtë seancë do të shqyrtohet kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë për të dy të pandehurit.
Çështja do të shqyrtohet nga një trupë gjykuese me relatore gjyqtaren Albana Boksi, ndërsa pritet që palët të paraqesin argumentet e tyre përpara gjykatës. Mbrojtja e Veliajt dhe ajo e Abules do të rendisin arsyet ligjore përse masa e arrestit me burg duhet të zëvendësohet me një masë më të butë sigurie. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) do të mbrojnë qëndrimin e tyre se masat aktuale duhet të mbeten në fuqi, duke theksuar rrezikun e ndikimit në hetime dhe rrezikun e largimit nga drejtësia.
Në fund të seancës, Gjykata e Lartë pritet të japë vendimin përfundimtar: nëse Veliaj do të vijojë të qëndrojë në qeli apo do të fitojë lirinë në pritje të hetimeve.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua më 10 shkurt 2025 nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Më 19 maj, ai paraqiti rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë./K.C/dritare.net

















