SHBA/ Tjetër i vrarë gjatë operacionit kundër emigrantëve në Minneapolis!
Dritare.net

Një qytetar amerikan ka ndërruar jetë në Minneapolis pasi është qëlluar nga agjentë federalë të imigracionit.
Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare tha se një agjent i Patrullës Kufitare qëlloi në vetëmbrojtje ndaj një burri që iu afrua agjentëve me një pistoletë gjysmë-automatike, duke rezistuar përpjekjet për ta çarmatosur. Shefi i Patrullës Kufitare, Gregory Bovino, tha se burri dukej se po përpiqej të dëmtonte agjentët, ndërsa hetimet mbi incidentin vazhdojnë.
Viktima është identifikuar si Alex Pretti, 37 vjeç. Policia tha se Pretti ishte pronar i ligjshëm i armëve dhe nuk kishte të dhëna penale përveç shkeljeve të trafikut. Video të publikuara nga kalimtarë tregojnë përplasje midis Prettit dhe agjentëve para se të qëllohej.
Ngjarja nxiti protesta masive pranë vendit të ngjarjes, ku turmat përballeshin me agjentë të armatosur dhe të maskuar që përdorën gaz lotsjellës dhe granata shkrepëse për shpërndarjen e njerëzve. Kryetari i Bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, dhe guvernatori i Minesotës, Tim Walz, kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve federale për zbatimin e ligjit ndaj imigracionit, duke shprehur shqetësim për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Ky është incidenti i dytë i ngjashëm këtë muaj që përfshin agjentë federalë të imigracionit në Minneapolis, pas vrasjes së Renee Good më 7 janar, e cila gjithashtu shkaktoi protesta dhe debate mbi përdorimin e forcës.
Kryetari i Bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, ka folur per gazetarët për të shtënat fatale që ndodhën në qytet gjatë një operacioni federal të imigracionit.
Ai tha se ka kërkuar ndihmën e Gardës Kombëtare për të mbështetur oficerët e policisë së Minneapolis, duke theksuar se komuniteti është i lodhur dhe ka nevojë për mbështetje shtesë për të ruajtur rendin publik.
“Kjo ka vazhduar prej javësh,” tha Frey, duke shtuar se qyteti mund të përballet me pasoja serioze nëse ndodhin dëme ose shkatërrime në vazhdim. Kryebashkiaku gjithashtu shprehu mirëkuptim për zemërimin dhe traumat që përjetojnë banorët pas ngjarjeve të fundit./dritare.net