
Si ndjeheni kur dëgjoni vetëm 5? Përfaqësuesi i Shqipëria Bëhet: Vullneti i popullit!
Dritare.net
Përfaqësuesi politik i partisë "Shqipëria Bëhet" për qarkun e Elbasanit, Ledjan Ahmati, ka dhënë një deklaratë për DritareTV nga ambientet e Parkut Olimpik, ku po numërohen votat e ardhura nga diaspora. Ai ka shprehur shqetësimin e tij për ritmin e ngadaltë të procesit.
“Në një shtet normal, ky proces do të kishte përfunduar. Këtu kemi një ritëm shumë të ngadaltë, shpesh ka diskutime të panevojshme dhe mungesë bashkëpunimi konstruktiv mes numëruesve. Kjo është diçka që mua personalisht më shqetëson,” – u shpreh Ahmati.
Gazetarja: Përse ka ngecur numërimi?
Sipas Ahmatit, një nga arsyet kryesore për vonesën është mungesa e përfaqësuesve të partive në tavolinat e numërimit.
“Gjithmonë mungon njëri prej numëruesve, ose nga njëra parti, ose nga tjetra. Kjo e pengon rrjedhshëm vijimin e procesit,” – tha ai.
I pyetur për votat e ardhura nga Greqia, Ahmati u shpreh se ka besim te kompania që menaxhon dërgimin e votave
“Unë besoj që një kompani si DHL është serioze dhe nuk besoj se ka vend për alibi që votat janë manipuluar.”
Gazetarja vuri në dukje se nga ambientet e numërimit dëgjohej shpesh numri 5, që përfaqëson Partinë Socialiste. Ahmati komentoi:
“Për mua ka folur populli. Ne duhet të analizojmë ku kemi gabuar si parti, jo pse ka fituar dikush tjetër.”
Ai gjithashtu u shpreh i vendosur që partia e tij nuk do të dorëzohet:
“Nuk do të dorëzohemi. Besoj që shqiptarët në të ardhmen do ta kuptojnë që në këto zgjedhje kanë bërë një gabim.”
Gazetarja: Kur pritet përfundimi i numërimit të votës së diasporës?
Sipas Ahmatit, procesi do të zgjasë edhe disa javë:
“Mendoj se do të duhen edhe 3-4 javë për përfundimin e plotë. Rreth datës 12-13 shtator do të kemi një pasqyrë të qartë se kush janë emrat që do të formojnë parlamentin e ri.”-tha ai për gazetaren e DritareTv.

















