Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si stereotipizohet gruaja në ekran! Flet Artan Fuga!

Si stereotipizohet gruaja në ekran! Flet Artan Fuga!

Në një forum të hapur me studentë dhe pedagogë, akademiku Artan Fuga bëri një analizë të detajuar të sistemit mediatik shqiptar. Ai u ndal te roli i pazëvendësueshëm të medias në demokraci, por njëkohësisht ngriti kritika për mënyrën se si trajtohen gratë, komunitetet e margjinalizuara dhe vetë gazetaret e reja në përballje me pushtetin politik.

Duke cituar Thomas Jefferson, Fuga theksoi se një shoqëri me media dhe pa qeveri është më e preferueshme se e kundërta, duke e cilësuar informimin si themelin e një shoqërie të lirë. Megjithatë, sipas tij, media duhet të analizohet vazhdimisht për mënyrën se si funksionon dhe për mënyrën se si përfaqëson grupet shoqërore, veçanërisht gratë.

Në analizën e tij, akademiku foli edhe për fenomenin e njohur në studimet ndërkombëtare si “vështrimi mashkullor”, ku gruaja në ekran shpesh paraqitet si objekt për të tërhequr vëmendjen e audiencës, duke lënë në hije rolin e saj si subjekt i pavarur.

Fuga bëri gjithashtu një lidhje mes miteve historike dhe realitetit aktual, duke theksuar se glorifikimi i figurave si Rozafa apo Nënë Tereza shpesh shoqërohet me një realitet ku gratë përballen ende me paragjykime dhe stereotipe. Ai kritikoi edhe situatat kur gazetare shumë të reja dërgohen në konferenca shtypi për t’u përballur me politikanë autoritarë, ku shpesh përballen me gjuhë denigruese dhe paternaliste.

Një studim i prezantuar gjatë forumit tregoi se në median shqiptare përdoren mbi 3,300 fjalë kyçe stigmatizuese, ku gratë shpesh portretizohen si objekte seksuale ose si figura të varura nga pushteti mashkullor.

Megjithatë, akademiku vlerësoi edhe shembuj pozitivë në median shqiptare. Ai përmendi Dritare TV, duke theksuar se kjo media, nën drejtimin e Rudina Xhungës, bën diferencën në mënyrën se si trajtohet figura e gruas dhe në gjuhën e përdorur në ekran.

Sipas tij, ky është një shembull se si media mund të ndërtojë një standard më të lartë profesional dhe një qasje më të balancuar në raport me përfaqësimin gjinor.

Në fund, Fuga theksoi se media shqiptare ka nevojë për një reformim më të thellë, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në strukturat e saj drejtuese, ku pavarësisht numrit të madh të gazetareve, vendimmarrja mbetet ende kryesisht në duart e burrave./dritare.net