Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Një “Bujrum” nga Edi Rama për myslimanët në Sofrën Kombëtare!

Një “Bujrum” nga Edi Rama për myslimanët në

Pasthënie nga Dr. Besnik Sinani në librin “Në sofrën e hënës” nga Edi Rama

Ky libër nuk është një përmbledhje formulash për qoka, por një dokument politik. Këto tekste u janë drejtuar kryesisht, por jo ekskluzivisht, myslimanëve shqiptarë. Ato që thuhen në këto përshëndetje na e bëjnë të pamundur t’i neglizhojmë thjesht si retorikë e prodhuar për përdorim politik të momentit. Në to gjejmë, nga një fjalim në tjetrin, prezantimin e një vizioni transformues mbi marrëdhënien midis shtetit dhe fesë në Shqipëri, e përkitazi islamit. Qysh nga Kristoforidhi e këndej, ideatorët e shtetit modern shqiptar e kanë parë islamin si problem politik që duhet tejkaluar, gjë kjo e diktuar nga gjeopolitikat e kohës.

Një “Bujrum” nga Edi Rama për myslimanët në

Projekti i shtetit është ndërtuar mbi imagjinatën politike të shqiptarëve, të gjendur në një udhëtim drejt Europës e Perëndimit, si edhe në luftë shekullore ndaj Lindjes e Islamit—kategori këto shpesh të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Dikotomia kundërshtuese midis Islamit dhe Europës e ka shoqëruar shqiptarin modern si një tension i brendshëm, si një paradoks. Studiuesit e shkencave sociale dhe historianë mund të problematizojnë ngurtësinë reduktuese të këtij botëkuptimi, por imagjinata kolektive rrallëherë toleron kompleksitetin. Në këtë libër, Kryeministri i Shqipërisë flet për islamin e shqiptarëve përtej këtij problematizimi. Islami, për të cilin ai flet, gjendet përtej reduktimit gjeografik Lindje/Perëndim. Kjo qasje nuk ka si të mos jetë edhe qasja e myslimanëve shqiptarë.

Një “Bujrum” nga Edi Rama për myslimanët në

Në Kapitullin e Dritës në Kuran thuhet: Drita e Zotit nuk i përket ekskluzivisht Lindjes apo Perëndimit. Vizioni politik mbi fenë në Shqipëri, i artikuluar nga z. Rama, duket se demonstron vetëbesimin politik bashkëkohor: se ankthi i periudhës fillestare të shtetit shqiptar, periudhës së infantilitetit, nëse mund ta themi kështu, ai ankth që diktonte kuptimin mbi islamin e shqiptarëve si një ngërç historik, është tejkaluar. Për rrjedhojë, vizioni që gjejmë në këto fjalime është tregues i një momenti pjekurie politike të shqiptarëve: prania e myslimanëve në shoqëri nuk justifikohet, por përgëzohet. Një vajzë që ndodh të ecë rrugëve me shami nuk është duke u trajtuar më si “armiku i popullit që kërkon të kthejë Tiranën në Teheran”, por ftohet në sofër. Sociologë të religjionit prej kohësh kanë vënë në dukje tensionet e mbarsura në modelin francez të laicitetit dhe faktin se ky model, përballet sot, me nevojën për t’u reformuar. Ky laicizëm është ngritur mbi supozimin se shoqëritë moderne do të avancojnë në mënyrë lineare drejt braktisjes së fesë, apo se feja përbën një rrezik prej të cilit shteti duhet ta mbrojë qytetarin. Në rang global, ky lexim i historisë ka dëshmuar të jetë i gabuar.

Një “Bujrum” nga Edi Rama për myslimanët në

Feja ka vazhduar të mbartë një rol thelbësor për njerëzimin. Modeli më respektues ndaj fesë i shekullaritetit anglo-sakson prezantohet gjithnjë e më tepër si alternativë pragmatiste ndaj një lloj militantizmi laik. Pse shkon Kryeministri i Shqipërisë në evente përkujtimore të komunitetit mysliman? Përgjigjja e thjeshtë do të ishte se ai është kryeministër i myslimanëve, ashtu si edhe i të gjithë qytetarëve të tjerë shqiptarë. E megjithatë, fakti që një pjesëmarrje e tillë problematizohet në ligjërimin publik është tregues i bagazheve të trashëguara, për të cilat, nga fjalimi në fjalim, nga një tryezë iftari në tjetrën, shohim ngulmimin e Kryeministrit Rama për të orientuar ligjërimin publik drejt tejkalimit të tyre. Kam prirjen të besoj se kjo vjen edhe nga vetëdija se interesi ynë i përbashkët dikton përforcimin e kohezionit social, përtej përpjekjeve të vjetruara për ta fshehur islamin e shqiptarëve poshtë qilimit kombëtar. Pozicioni i vetë Kryeministrit si i krishterë ia kursen ndoshta atij komplekset nga të cilat kanë vuajtur pushtetarë të tjerë, që në vitin 2016 kam qenë kontribuues në një raport për Parlamentin Europian mbi islamofobinë në Europë, ku mbulova pjesën që lidhej me Shqipërinë. Po atë vit i njoftova hartuesit e raportit se nuk do të vazhdoja me kontributin tim.

Pasi besova se shteti shqiptar po lëvizte drejt një ligjërimi të ri identitar, që nuk kërkonte të afirmonte europianizmin e vet nëpërmjet islamofobisë. Kjo nuk do të thoshte se Shqipëria, ashtu si dhe vende të tjera, nuk do të kishte shembujt e vet të paragjykimeve, e ndoshta edhe të diskriminimeve. Por, qysh nga rënia e komunizmit, pavarësisht ngjarjeve madhore që kanë diktuar qëndrimet globale ndaj myslimanëve, si, fjala vjen, krijimi i ISIS-it, ne shohim këmbënguljen e mirëfilltë të Kryeministrit të Shqipërisë për ta distancuar përfaqësimin e myslimanëve shqiptarë nga këto tensione globale, si edhe për të normalizuar praninë e tyre në sferën publike. Ky zhvillim ishte tregues se afirmimi i europianizmit të shqiptarëve nuk ndiente më nevojën të artikulohej në forma përjashtuese. Në disa prej përshëndetjeve në tryezat e iftarit, z. Rama duket të insistojë në rëndësinë e pjesëmarrjes në këto sofra të shqiptarëve me besime të ndryshme apo edhe pa besim fetar, duke e projektuar tryezën e iftarit si një platformë, e cila, përtej domethënies fetare, mbart një funksion civil që tejkalon ritualin: një lloj ekumenizmi qytetar, që thekson rëndësinë e simbolikës së ndarjes së bukës me njëri-tjetrin, pa imponuar besnikëri doktrinare. Ashtu si këto fjalime nuk hezitojnë të shpallin çlirimin prej historisë, me të njëjtën liri që z. Rama lexon dhe citon tekste e personalitete, pa qenë i kushtëzuar nga kanone, dhe me të njëjtën vendosmëri, ai duket se artikulon një vizion përtej-ideologjik të qytetarëve shqiptarë, me besime të ndryshme apo pa besim. Këto fjalime, qartazi, mbartin ngacmime momentale, cytje që lindin nga vërejtja e një të njohuri ose nga përshtypja e lënë prej një leximi.

Ato sjellin zërin e vet Edi Ramës, jo vetëm si kryeministër, por edhe si pjesëmarrës në bisedat e përditshme të shqiptarëve. Në këto fjalime ai shpesh shpreh edhe qëndrimin e vet mbi besimin ose kërkon të ngjallë reagime të mysafirëve në tryeza, të cilat, me sa duket, i ka ideuar vetë, i frymëzuar nga jehona ngjarjesh tronditëse nga bota. Tryeza që krijojnë një klimë përafrimi. Vërtetë, në këto sofra Kryeministri shpesh është mysafir i ftuar, por njëkohësisht ai duket se bëhet vetë nikoqiri që u thotë “bujrum” myslimanëve shqiptarë në sofrën kombëtare. Herë me të drejtë, e herë ndoshta jo, myslimanët e Shqipërisë së pas viteve ’90, shpesh janë ndjerë të margjinalizuar. Këto fjalime janë tregues të vullnetit dhe vizionit politik për ta ndryshuar këtë klimë. Për rrjedhojë, ky libër ka fituar vendin e vet si dokumenti i këtij momenti transformues në mënyrën sesi shteti shqiptar përfytyron qytetarët e vet myslimanë.

*Dr. Besnik Sinani Qendra për Teologji Islame Universiteti i Tübingen, Gjermani.