Përshkallëzohet lufta! Izraeli nis fazën e re të sulmeve në Iran
Dritare.net

Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Eyal Zamir, ka deklaruar se ushtria izraelite po kalon në fazën e radhës të operacionit ushtarak kundër Iranit, duke paralajmëruar goditje të tjera ndaj regjimit dhe kapaciteteve të tij ushtarake.
Në një deklaratë zyrtare, Zamir theksoi se operacioni po zhvillohet sipas planit dhe se për gjashtë ditë me radhë Izraeli ka kryer sulme të pandërprera ndaj objektivave në Iran.
Sipas tij, gjatë fazës së parë të operacionit, ushtria izraelite arriti të realizojë një sulm të befasishëm, duke vendosur epërsi ajrore dhe duke neutralizuar një pjesë të sistemeve të raketave balistike të Iranit.
“Pas përfundimit të fazës së sulmit të befasishëm, ku arritëm epërsi në ajër dhe shtypëm kapacitetet e raketave balistike, tani po kalojmë në fazën tjetër të operacionit,” thuhet në deklaratën e tij.
Zamir shtoi se në këtë fazë të re, Izraeli synon të dobësojë më tej regjimin iranian dhe kapacitetet e tij ushtarake, ndërsa paralajmëroi se ushtria izraelite ka “edhe surpriza të tjera” që nuk do t’i zbulojë publikisht.
Ai theksoi gjithashtu se Izraeli dhe SHBA-ja kanë punuar për të izoluar strategjikisht Iranin, duke e çuar atë në një pikë dobësie që, sipas tij, vendi nuk e ka përjetuar më parë.
Në deklaratë u përmend edhe situata në Liban, ku Zamir akuzoi Hezbollahun se ka bërë një “gabim strategjik” duke u përfshirë në konflikt. Ai tha se ushtria izraelite po kryen goditje të fuqishme si në vijën e frontit, ashtu edhe në thellësi të territorit libanez./dritare.net