S’ka zgjedhje në Tiranë! Erion Veliaj mbetet kryebashkiak!
Dritare.net

Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Erion Veliajt, rrëzon vendimin e qeverisë dhe dekretin e presidentit për zgjedhje në Tiranë.
Erion Veliaj ka fituar betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese dhe do të mbetet kryetar i Bashkisë Tiranë, pavarësisht se ndodhet në paraburgimin e Durrësit.
Në një vendim të shpallur në kohë rekord, vetëm tre ditë pas seancës maratonë prej shtatë orësh të së premtes, Gjykata Kushtetuese rrëzoi me pesë vota pro dhe tre kundër vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij. Ndër gjyqtarët që votuan kundër ishte edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Në vendimin e arsyetuar, Gjykata thekson se procedura e ndjekur nga Këshilli Bashkiak dhe Këshilli i Ministrave nuk i ka garantuar Veliajt të drejtën për një proces të drejtë dhe të rregullt ligjor.
Sipas saj, kryebashkiaku nuk është njoftuar dhe nuk i është dhënë mundësia të dëgjohej apo të mbrohej gjatë procesit të shkarkimit.
“Vetëm marrja dijeni për datën e mbledhjes së këshillit bashkiak nuk e përjashton organin publik nga detyrimi për të garantuar të gjitha të drejtat procedurale,” – thuhet në vendim.
Gjykata vlerësoi gjithashtu se shkarkimi me motivin e mungesës në detyrë për tre muaj nuk përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës, siç kërkon neni 115, dhe se qeveria gaboi kur u mbështet në nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore.
“Ajo që nuk e ka parashikuar Kushtetuta, nuk mund ta shtojë ligji,” – thuhet në vendim, duke nënvizuar se interpretimi i kundërt rrezikon kufizimin e garancive kushtetuese të pushtetit vendor.
Gjykata Kushtetuese, në mënyrë unanime, deklaroi se ka juridiksion të plotë për të shqyrtuar çdo vendim qeveritar që prek organet e zgjedhura vendore, duke argumentuar se vetëm kështu garantohet autonomia e pushtetit lokal.
As zgjedhje të reja, as dekret presidencial
Pjesë e vendimit të Gjykatës ishte edhe shfuqizimi i dekretit të Presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë.
Kushtetuesja e cilësoi dekretin antikushtetues, duke sqaruar se vetëm ajo ka kompetencën për të shqyrtuar raste të tilla, dhe jo Gjykata Administrative, siç kishte pretenduar Presidenti.
Vendimi historik vjen pas seancës publike të 31 tetorit, ku për më shumë se shtatë orë u përballën tre institucione: Kryeministria, Presidenca dhe vetë Veliaj, i cili mori pjesë personalisht në sallë.
Qeveria e kishte shkarkuar më 25 shtator, me firmën e kryeministrit Edi Rama, pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, që e akuzonte për mungesë tre mujore në detyrë.
Tani, me vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, Erion Veliaj do të vijojë zyrtarisht mandatin e tij si kryebashkiak i Tiranës, ndërsa procesi i shkarkimit konsiderohet i pavlefshëm në çdo aspekt ligjor./E.P-dritare.net