Skema e re e pensioneve/ Rama: Shteti do të dyfishojë kontributet vullnetare nga paga
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama prezantoi nga një takim në një kompleks industrial në Durrës një skemë të re pensionesh, që synon të nxisë kursimin vullnetar për moshën e tretë. Sipas tij, qytetarët që duan të kursejnë më shumë për pensionin do të kenë mundësi të japin një kontribut shtesë nga paga, ndërsa shteti do ta dyfishojë atë.
“Jemi duke përgatitur një skemë të re pensionesh. Kushdo që dëshiron të kursejë më shumë për pensionin mund të japë një kontribut, të cilin shteti do ta shoqërojë me të njëjtën shumë. Nëse dikush nxjerr nga paga një euro, shteti do të vendosë një euro tjetër dhe kështu bëhen dy euro,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se kjo skemë do të lidhet me krijimin e një fondi pensionesh që do të garantojë përfitime për kontribuuesit dhe do të forcojë bashkëpunimin mes sektorit privat dhe punonjësve.
"Ajo që po shohim në këtë kohë, ku teknologjia po zëvendëson njeriun, është nevoja për burime të specializuara njerëzore. Robotët nuk do të arrijnë dot të plotësojnë të gjitha nevojat e burimeve njerëzore. Sot nuk është më pyetja sa mund të paguaj, por sa je në gjendje të bësh punën që kam nevojë dhe të paguaj pa problem. Nuk është më koha që kompanitë të kursejnë te pagat, por te specialistët” – u shpreh kryeministri./K.C/dritare.net