SPAK i lë Berishës në dorë fletëthirrjen e tretë për 21 Janarin!
Dritare.net

Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë në dorë fletëthirrjen e tretë nga SPAK për krimin shtetëror të 21 janarit. Tre ditë pasi refuzoi të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme me pretendimet se nuk kishte asnjë dijeni për fletëthirrjen, tashmë SPAK ia ka dorëzuar Berishës njoftimin në dorë, kur ai u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitjeje për aferën Partizani.
Para gazetarëve, Berisha u pyet se cilia është data kur është thirrur, por ai refuzoi ta tregonte ndërsa vijoi të insistojë se nuk ka pasur dijeni për fletëthirrjen e SPAK, ndonëse njoftimi i dytë i ishte dorëzuar në 3 adresa. Ai pretendon se deri më sot, SPAK nuk ia kishte dorëzuar fletëthirrjen personalisht, ndërsa vijoi piruetat duke thënë se nuk e përdor emailin ku SPAK i tha se i dorëzoi thirrjen për 21 janarin.
“Njoftim quhet kur një person njoftohet direkt. Nga data 3 deri sot, asnjë person s’më ka ardhur të më thotë orë dhe datë, të më dorëzojë një letër dhe asnjë person nuk rezulton të ketë marrë përsipër një gjë të tillë. Unë kam dy posta elektronike njëra është e imja dhe njëra është e kuvendit, që unë nuk e përdor. Unë kam një numër telefoni që e njeh gjithë bota, marr SMS çdo ditë dhe aty nuk ka ardhur asgjë”, tha Berisha.