Dy të paprekshëm në tribunë, Kombëtarja e Shqipërisë e cunguar ndaj Anglisë
Dritare.net

Shqipëria do të zhvillojë sot ndeshjen e fundit të Grupit K në kualifikueset e Botërorit 2026, përpara se të përqendrohet te gjysmëfinalja e “play-off”. Kuqezinjtë do të përballen me Anglinë, duke nisur nga ora 18:00 në stadiumin “Air Albania”.
Trajneri Sylvinho ka vendosur që të dërgojë në tribunë dy lojtarë, Juljan Shehun dhe Mario Mitajn, të cilët gjatë kualifikueseve janë konsideruar të paprekshëm. Ky vendim lidhet me rregullat e UEFA-s, që lejojnë grumbullimin e vetëm 23 lojtarëve nga 25 të thirrur.
Lojtarët Klisman Cake dhe Adrion Pajaziti, të cilët ishin në tribunë në ndeshjen ndaj Andorrës, do të kenë kësaj radhe mundësinë të jenë pjesë e skuadrës.
Vendimi nuk është i papritur, pasi pesë futbollistë të Kombëtares rrezikojnë të humbasin gjysmëfinalen e “play-off” në rast ndëshkimi ndaj Anglisë. Mitaj dhe Shehu ishin ndër të rrezikuarit, ndërsa tani në këtë listë mbeten Rei Manaj, Arlind Ajeti dhe Nedim Bajrami./K.C/dritare.net