Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Atentati në Rinas/ Ndërron jetë pas disa ditësh në spital agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore!

Atentati në Rinas/ Ndërron jetë pas disa ditësh në

Muçi Shaljani (Sheqeri) ka ndërruar jetë 5 ditë pas atentatit të 11 nëntorit pranë Aeroportit të Rinasit. Ai ndodhej në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë pasi mori 10 plumba në trup. Shaljani vdiq rreth orës 3 të mëngjesit. Nga breshëria e plumbave i vdekur në vend mbeti shënjestra Gilmando Dani, i cili sapo ishte kthyer bashkë me Shaljanin nga Barcelona.


"Në vijim të informacionit të dhënë më datë 11.11.2025, mbi ngjarjen e ndodhur tek rrethrrotullimi i Rinasit, ju informojmë se shtetasi M. Sh. (Sh.), i cili mbeti i plagosur, ka humbur jetën gjatë natës.", njofton policia.
Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe miku i tij Muçi Shaljani u qëlluan me breshëri plumbash kallashnikovi sapo dolën nga rrethimi i aeroportit të Rinasit. Nga makina tip "Toyota" dolën 3 persona më armë në dorë dhe bënë shoshë me plumba makinën “Mercedez Benz” të bardhë që drejtohej nga Shaljani, i cili në shtator ishte bërë pjesë e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore si agjent, në një procedurë në shkelje të ligjit.

Atentatorët u larguan vetëm pasi u bindën se shënjestra Gilmando Dani ishte vrarë. Më tej dogjën makinën në fshatin Halil, bashkë me armët që terrorizuan aeroportin. Automjeti që përdorën në krim dhe targat që kishte rezultuan të vjedhura në Greqi vitin e kaluar. Automjeti dyshohet se ka dalë nga banesa e Ylli Zallës në fshatin Zall të Fushë-Krujës, 48-vjeçarit të shpallur në kërkim një ditë më parë pasi iu gjet një arsenal armësh. Po ashtu ky person dyshohet se iu ka siguruar armët grupit të atentatorëve.


Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Shullazit, kishte një histori të gjatë me ngjarjet kriminale që prej vitit 2006 kur u shpall në kërkim për armëmbajtje pa leje. Ai i shpëtoi dy atentateve, një në vitin 2011 dhe një tjetër në vitin 2015, kur ishte në shoqërinë e vetë Shullazit. Në tetor 2024 ai u lirua nga burgu pas një vendimi gjykate për liri me kusht për shkak se kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit prej 12 vite burg për “Gjobëvënie”.