Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK publikon regjistrin e transparencës. Çfarë thotë për 21 janarin dhe koncesionin e aeroportit të Vlorës!

SPAK publikon regjistrin e transparencës. Çfarë thotë

SPAK ka publikuar së fundmi regjistrin e pyetjeve të adresuara nga publiku dhe media për çështje me interes të lartë publik që ndodhen në faza të ndryshme hetimore. Regjistri synon të rrisë transparencën mbi proceset në vijim dhe përfshin përgjigje për disa prej çështjeve më të përfolura në opinionin publik, si “21 Janari”, gara për kreun e BKH-së, ndërhyrja në sistemin TIMS, kontrata koncesionare për aeroportin e Vlorës dhe hetimet për krimet zgjedhore.

Hetimet për “21 Janarin”

Në lidhje me ecurinë e hetimeve për ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011, ku humbën jetën katër protestues gjatë një mitingu përpara Kryeministrisë, SPAK bën me dije se “procesi hetimor është ende në zhvillim”. Prokuroria nuk jep detaje të mëtejshme, duke respektuar konfidencialitetin e fazës hetimore.

Gara për drejtimin e BKH-së

Në përgjigje të pyetjeve për procesin e përzgjedhjes së kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), SPAK informon se ndodhet në fazën e dytë të procedurës, e cila vijon në përputhje me ligjin në fuqi.

Hetim ndaj kryebashkiakut të Shkodrës

Një tjetër çështje për të cilën është pyetur SPAK ka të bëjë me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci. Prokuroria konfirmon se ka regjistruar një procedim penal ndaj tij dhe se çështja është në hetim, pa bërë të ditur natyrën e hetimit apo akuzat konkrete.

Ndërhyrja në sistemin TIMS

Për sa i përket çështjes së ndërhyrjes në sistemin TIMS, SPAK njofton se është regjistruar një procedim penal mbi bazën e një kallëzimi të depozituar, dhe aktualisht ndodhet në fazën e hetimeve. Ashtu si në rastet e tjera, nuk jepen më shumë hollësi për të mos penguar hetimin.

Kontrata koncesionare për aeroportin e Vlorës

Në lidhje me kontratën koncesionare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, SPAK bën me dije se ka regjistruar një procedim penal që lidhet pikërisht me këtë kontratë. Edhe në këtë rast, nuk jepen detaje të mëtejshme pasi çështja është ende në hetim.

Krimet zgjedhore

Për sa i përket hetimeve për krime zgjedhore, SPAK informon se janë regjistruar gjithsej 43 materiale si procedime penale, përfshirë një që është ndarë nga një procedim i mëparshëm. Gjithashtu, janë marrë 43 vendime për mosfillim të hetimit penal për mungesë të elementëve të veprës penale.

Ky publikim vjen si pjesë e përpjekjeve për të rritur transparencën institucionale, ndërkohë që shumë prej këtyre çështjeve mbeten ende në hetim dhe pa një përfundim të qartë.