Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK, vë në sekuestro preventive llogaritë e kompanisë së vëllezërve nga Katari, që blenë tokat për resortin në Zvërnec!

SPAK, vë në sekuestro preventive llogaritë e kompanisë

Me një vendim të habitshëm, Prokuroria e Posaçme mësohet të ketë vënë nën sekuestro preventive, llogaritë bankare të ‘Albania Land Development’, kompania e cila zotërohet nga dy sipërmarrësit e njohur nga Katari, vëllezërit Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, të cilët kanë parashikuar të investojnë së bashku me Jared Kushner-in, dhëndrrin e presidentit amerikan Donald Trump, në ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec.


‘Albania Land Development’, rezulton të ketë blerë sipërfaqet e tokës mbi të cilën do të realizohet projekti. Ajo fillimisht, ishte në pronësi të Redi Strugës, i cili pasi e shiti, e emërua një nga tre administratorët e kompanisë, por me të drejtë të kufizuar të firmës.


Sekuestro preventive e SPAK-ut, vjen si pjesë e një hetimi të nisur disa javë më parë, mbi titujt e pronësisë në zonën e Zvërnecit. Sipas asaj që deklaroi një ditë më parë kryeministri Edi Rama, investitorët nga Katari, i kanë blerë sipërfaqet e tokës, përmes transaksioneve bankare, nga subjekte dhe individë të pajisur me tituj pronësie.

Ndërhyrja e beftë e Prokurorisë së Posaçme, duke bllokuar llogaritë e kompanisë, rrezikon të verë në pikëpyetje investimin që në total përllogaritet, sipas deklarimeve publike, në 4 miliard euro, më i madhi i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, jo vetëm në fushën e turizmit.

SPAK po heton kryesisht, ende pa vërtetuar nëse ka pasur shkelje dhe cilat mund të jenë ato në origjinën e pronave, por ndërkohë po godet me sekuestro preventive të llogarive bankare, kompaninë që i ka blerë këto prona. Kështu, de facto, SPAK po bllokon të gjithë aktivitetin e një kompanie që mund të rezultojë edhe viktimë e një manipulimi nga ana e pronarëve të deklaruar.


Mbi rastin u prononcua sot edhe kryeministri Rama, i cili i bëri këtë lexim situatës së krijuar. “Kjo çështje me dy pamje duhet ndarë në dy pjesë. Investitorët janë në të drejtën e tyre. Bllokimi i transaksionit është arbitrar dhe negativ. Bllokimi pastaj i kalimit të parave te pronari që ka dyshime, është pastaj i mirëpritur. Investimi vazhdon, nëse hetimi nxjerr që ka persona që ka mashtruar me pronësinë e pronës atëhëre paratë t’i marrin ata që janë pronarë legjitime të pronës”, deklaroi kryeministri.