
Stadiumi i Leskovacit: Si lojërat politike të Vučić ndikuan në ndeshjen me Shqipërinë
Dritare.net
Vendimi për të luajtur ndeshjen Serbi-Shqipëri në stadiumin e vogël të Leskovacit, me kapacitet vetëm 8,000 vende, nuk ishte i rastësishëm, por një lëvizje e mirëmenduar politike. Gazetari Bledar Kuka i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare TV shpjegoi se kjo ishte një strategji e Presidentit serb Aleksandar Vučić për të menaxhuar më mirë situatën. Leskovaci, një zonë pro-Vučić, siguronte një publik më të kontrolluar, duke shmangur protestat dhe thirrjet kundër tij që kishin ndodhur më parë në Beograd gjatë ndeshjes me Anglinë.
"Ai ka dhe hallin e tij politik," tha Kuka. "Ajo është një zonë që mund të quhet pak më pro Vučićit, pra që mos të dalin kundra." Presioni kishte funksionuar ndryshe me Anglinë, kur ambasada angleze kishte këmbëngulur për një stadium më të madh për tifozët e saj, duke e detyruar federatën serbe ta zhvendoste ndeshjen në Beograd, një vendim që Vučić e kishte kritikuar hapur.
Për ndeshjen me Shqipërinë, autoritetet serbe kishin frikë nga incidentet dhe zgjodhën një arenë të vogël, ku edhe biletat u shpërndanë në mënyrë të kontrolluar për të shmangur praninë e tifozëve ultras apo të padëshiruar. Kjo tregon se si futbolli në Ballkan vazhdon të jetë i ndërthurur ngushtë me politikën./l.F-dritare.net

















