Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Trump paralajmëron udhëheqësen e re të Venezuelës: Mund të paguajë një çmim më të madh se Maduro

Trump paralajmëron udhëheqësen e re të Venezuelës: Mund

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar paralajmërime të forta ndaj udhëheqjes së re të Venezuelës, duke deklaruar se Delcy Rodríguez mund të “paguajë një çmim shumë të madh, ndoshta më të madh se ai i Nicolás Maduro-s”, nëse “nuk bën atë që është e drejtë”.

Në një intervistë për The Atlantic, Trump tha se për Venezuelën “ndryshimi i regjimit, është më i mirë se ajo që keni tani”, duke lënë të hapur mundësinë e presionit të mëtejshëm amerikan ndaj Karakasit.

Rodríguez, e cila pritet të betohet sot si udhëheqëse e re e vendit, iu përgjigj drejtpërdrejt presidentit amerikan gjatë mbledhjes së saj të parë të kabinetit. “Popujt tanë dhe rajoni ynë meritojnë paqe dhe dialog, jo luftë,” deklaroi ajo, duke bërë thirrje për ulje tensionesh dhe komunikim diplomatik.

Ndërkohë, ish-presidenti Nicolás Maduro pritet të paraqitet para një gjykate në Nju Jork, pasi u kap së bashku me bashkëshorten e tij gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së në Venezuelë të shtunën. Maduro përballet me akuza të lidhura me trafik droge, të cilat ai i ka mohuar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha gjatë fundjavës se Shtetet e Bashkuara janë në luftë “kundër organizatave të trafikut të drogës”, duke theksuar se objektivi nuk është shteti i Venezuelës, por rrjetet kriminale.

Zhvillimet e fundit kanë rritur ndjeshëm tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër situatën dhe pasojat e mundshme për stabilitetin rajonal./L.F-dritare.net